Kryeministri kinez Li Keqiang pati të enjten një takim me presidentin e Bankës Botërore David Malpass, që ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në dialogun e 7-të “1+6”. Gjatë takimit, Li u shpreh që, me zbatimin e masave të rregulluara e të përmirësuara antiepidemike, rritja ekonomike e Kinës do të vazhdojë të mëkëmbet.
Kina do të bashkërendojë më mirë kontrollin e parandalimin e epidemisë me zhvillimin ekonomik e shoqëror, do të garantojë sigurinë e popullit dhe do të ruajë rendin normal të jetës dhe prodhimit, tha ai.
Li u shpreh më tej që, gjatë 40 vjetëve, Kina dhe BB-ja kanë ruajtur marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim të ngushtë, duke zhvilluar bashkëpunim efektiv në fushën e njohurive dhe të kreditimit. Kina është e gatshme të thellojë marrëdhëniet dypalëshe, të shtojë bashkërendimin e makropolitikave, të thellojë bashkëpunimin në sektorët kyçë, të përmirësojë qeverisjen ekonomike globale dhe të përballojë bashkërisht çështjet e ndërlikuara ekonomike.
Numri një i qeverisë kineze vuri në dukje po ashtu që Kina ngul këmbë në hapjen me botën e jashtme dhe në përshtatjen me standardet e larta ndërkombëtare, duke u integruar me rregullat ekonomike e tregtare ndërkombëtare. Ai shtoi që Kina do të thellojë vazhdimisht reformën e decentralizimit, administrimit e shërbimeve, do të krijojë një mjedis biznesi të orientuar nga tregu, të ndërkombëtarizuar e të mbështetur në ligj dhe do t’i trajtojë të gjitha kompanitë në mënyrë të barabartë. “Kina ka nevojë për botën dhe bota ka nevojë për Kinën. Kina ka qenë gjithmonë një destinacion tërheqës i investimeve globale dhe ne mirëpresim ndërmarrjet e vendeve të ndryshme të vazhdojnë të shtojnë investimet dhe bashkëpunimin në Kinë,” theksoi Li.
David Malpass u shpreh nga ana e tij që tani ekonomia botërore po përballon sfida serioze dhe Kina luan një rol të rëndësishëm në përballimin e këtyre sfidave. BB-ja e vlerëson rregullimin e masave antiepidemike nga Kina, është e kënaqur që Kina zgjeron pandërprerë hapjen, dhe i kushton rëndësi të madhe partneritetit me Kinën. BB-ja është e gatshme të thellojë bashkëpunimin në fushën e tregtisë e njohurive, duke nxitur zhvillimin e përbashkët të botës, theksoi David Malpass.
/a.r