Nga Fatos Tarifa
Dje, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme publikoi këtë deklaratë: “Në përgjigje të interesimeve të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekulim mbi ‘heshtjen’ e MEPJ, konfirmojmë se procedura zëvendësimit të ambasadores [amerikane] Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente”.
Si një diplomat që për katër vite me radhë i kam shërbyer vendit tim si ambasador në Shtetet e Bashkuara, kjo deklaratë më shokoi. Më shokoi siç nuk ka ndodhur kurrë më parë. Një deklaratë e tillë, e bërë nga institucioni që harton dhe zbaton politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe që, për këtë arsye, është ndërgjegjja, fytyra dhe zëri i kësaj republike në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe me bashkësinë ndërkombëtare, nuk është thjesht një lapsus, një fjalë e gabuar, ose fjala jo e duhur që del pa dashur, në mënyrë të pavullnetshme, nga goja ose nga pena e dikujt që e ka formuluar atë deklaratë. Një deklaratë e tillë është një gafë diplomatike kolosale. Në të nuk bëhet fjalë për procedurat e lirimit nga detyra, ose të transferimit në një detyrë të re të një ambasadori shqiptar, por të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Edhe nëse dikush do të mendonte se kemi të bëjmë thjesht me një lapsus linguae (shkarje e gjuhës) apo një lapsus calami (shkarje e penës), Frojdi na thotë se një lapsus mund të kuptohet si “një veprim i pavetdijshëm që fsheh një dëshirë të pavetdijshme ” dhe që mund të burojë nga një gjendje psikike jo tërërisht e shtypur, e mënjanuar nga ndërgjegjja”. Jacques Lacan pajtohej me këtë interpretim të tij.
E para pyetje që lind është kjo: Ç’punë ka Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme të shprehet publikisht për një çështje shumë të rëndësishme, që nuk i takon aspak asaj apo qeverisë shqiptare që ajo përfaqëson. Procedurat për zëvendësimin në detyrë të një ambasadori i nis dhe i kryen shteti që e ka emëruar atë në atë detyrë dhe që ai përfaqëson me fuqi të plota e të jashtëzakonshme, dhe jo minstria e jashtme e shtetit pritës. Deklarata e MEPJ jo vetëm dëshmon një injorancë të plotë në çështje dimplomatike, por edhe është një ndërhyrje e hapur—flagrante dhe vulgare—në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe jo në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut apo të Kosovës, por të fuqisë më të madhe të globit.
Unë nuk mund të di se çfarë e ka motivuar MEPJ për hartimin dhe publikimin e kësaj deklarate, por nuk besoj se ka qenë “interesimi i madh i medias”, as nevoja për të “shmangur çdo spekulim mbi heshtjen” e asaj ministrie për këtë çështje. MEPJ duhej të kishte bërë pikërisht këtë—të qëndronte e heshtur për një çështje që nuk ka të bëjë aspak me të dhe me shtetin shqiptar, por është një çështje në kompetencën e plotë dhe ekskluzive të Departamentit amerikan të Shtetit, të Senatit amerikan dhe të Presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Veprimi i MEPJ me publikimin e një deklarate të tillë është jo vetëm në kundërshtim me çdo normë sjelljeje në marrëdhëniet diplomatike mes shteteve, është jo vetëm skandaloz, por edhe i dënueshëm. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë veprim.