Një lloj droge ngjyrë rozë nga Kolumbia, që është përzierje e MDMA-së dhe ketaminës po përhapet tashmë edhe në Evropë.
E njohur nga blerësit si “tusi”(2C), dhe e referuar nga media dhe policia si “kokaina rozë”, edhe pse nuk përbën kokainë, kërkesa për këtë lloj substance është në rritje dhe tashmë është sekuestruar nga policia në Spanjë, dhe po qarkullon dhe në vende të tjera të Evropës.
Sipas asaj që raporton Vice, vendasit e quajnë “tusi” sepse dikur përmbante 2-CB. Megjithatë, tani besohet që të jetë vetëm përzierje e ketaminës dhe MDMA-së.
Në qytetet kryesore të Kolumbisë, droga është bërë sinonim i një brezi të ri të trafikantëve të rinj që po prodhojnë dhe e shesin drogën për t’u përdorur në klubet e natës dhe jo vetëm.
E cilësuar nga tregtarët, nisur edhe nga ngjyra e saj, si shumë më ekskluzive se kokaina, tusi është më shumë një markë sesa një substancë specifike.
Droga u shfaq për herë të parë në rrugët e Kolumbisë rreth vitit 2010. Pluhuri rozë, i lyer me ngjyrues ushqimor për ta bërë të dallueshëm nga pluhurat e tjerë dhe që kryesisht mbante armoë luleshtrydhe, quhej “tusi” sepse përmbante drogën psikedelike 2CB.
Që atëherë, testet mjeko-ligjore kanë treguar se droga është shndërruar në një përzierje të paparashikueshme, që më së shpeshti përmban sasi të ndryshme të ketaminës dhe MDMA-së, të grumbulluara me kafeinë.
Produkti, ndryshon në varësi të njerëzve që e përgatisin dhe është gjetur se përmban një sërë substancash të tjera, të tilla si benzos, meth dhe cathinone.
Javën e kaluar, policia spanjolle njoftoi se kishte kapur shtatë anëtarë të një bande që dyshohet se ishin përfshirë në shpërndarjen e kokainës dhe tusi-së në Madrid dhe Malaga. Lënda ishte kontrabanduar me anë të disa valixheve të mbushura me drogë nga Amerika Latine.
/a.r