Kryeministri i Greqisë, Kiriakos Mitsotakis, u shpreh në Tiranë se çështja e detit me Shqipërinë “është një çështje në diskutim e sipër mes dy vendeve, me shumë ndërlikime ligjore”.
“Mendoj se kemi bërë hapa përpara muajt e fundit dhe mendoj se ka një dakordësi mes meje dhe kryeministrit se duam ta zgjidhim këtë çështje bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe të gjejmë një marrëveshje për firmosjen e një dokumenti që do të na lejonte që ta çonim këtë çështje në gjykatën ndërkombëtare”, deklaroi Mitsotakis.
“Jam optimist se edhe pala shqiptare do të bëjë pjesën e saj që të shkojmë sa më shpejt në këtë pikë”, shtoi kryeministri grek.
Në lidhje me situatën mes Kosovës dhe Serbisë, Mitsotakis tha: “Gjithmonë kemi inkurajuar dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, që duhet të zhvillohet në mirëbesim nga të dyja palët. E kuptojmë kompleksitetin e çështjes, por jemi të vetëdijshëm që duhet zgjidhur çështja dhe që të zgjidhet, të dyja palët duhet të bëjnë një hap pas. Pa u zgjidhur kjo, do të jetë e vështirë që të bëjmë progresin e nevojshëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”.
/a.r