Çështja e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka zbuluar një klimë të hershme mosbesimi mes vet demokratëve.
Ndërhyrja e pazakontë e Eduard Selamit, në mbledhjen e grupit parlamentar të së mërkurës, nuk kishte për qëllim vetëm të nxirrte në dukje pikëpamjen e tij, se nën drejtimin e kryetarit Lulzim Basha, roli i opozitës këto dy vite është dobësuar në vend që të forcohej.
Eduard Selami nuk pranon të bëjë komente publike rreth qëndrimit të tij në grup, por Top Channel ka mësuar se, arsyeja kryesore e ndërhyrjes së tij ka qenë domosdoshmëria për të rikonfirmuar besueshmërinë e tij opozitare.
Ndërhyrja më e ashpër e Eduard Selamit ishte pas sqarimit të detajuar, që Sali Berisha u bëri deputetëve demokratë për bisedimet me ambasadorët për çështjen e Byrosë së Hetimit dhe reformës në drejtësi.
Me fjali shumë të kujdesshme dhe pa adresë, Sali Berisha ka vënë në gojën e diplomatëve fjalët se, “kryeministri Rama u ka informuar që 10 deputetë të opozitës janë gati të votojnë reformën, edhe pa miratimin zyrtar të Partisë Demokratike”.
Ish-kryeministri ka mohuar çdo mundësi për shitblerje të opozitës, por u kërkoi deputetëve të mbrojnë veten dhe të deklarojnë publikisht pozicionin e tyre politik. I vetmi që e ka bërë këtë, përballë dyshimeve të Berishës, ka qenë Eduard Selami, sipas të cilit askush nuk ka kërkuar vota të deputetëve të opozitës, por kërkohet forcim i rolit të opozitës përballë keqqeverisjes.
Një proces që, në këndvështrimin e Eduard Selamit nuk po ndodh, për shkak se kryetari Basha i lë betejat përgjysmë, ose ndryshon qëndrim gjatë rrugës. Por, ndërsa kolegët e tjerë, mes të cilëve ka së paku dy ish-socialistë, kanë heshtur, duket se përplasjet e forta përmbajtësore politike mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste do të shtojnë, në mos zërat, nivelin e zërit të atyre pak përfaqësuesve të lartë demokratë, që në sytë e Sali Berishës kanë guximin të kritikojnë për dobësi dhe mungesë integriteti, kryetarin e ri të PD-së, Lulzim Basha.