Të nisësh të jetosh pasi jeta të ka përballur me vështirësi nga më të mëdhatë siç është humbja e njeriut që ke zgjedhur për të ndarë jetën apo ajo e fëmijës nuk është e lehtë. Duhet forcë për t’i kaluar këto vështirësi dhe njerëz që të qëndrojnë afër në momentet më delikate të jetës. Zonjat që ishin këtë të diel në “Kam Një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, e kanë gjetur këtë forcë te njëra tjetra.
Aishe ka treguar se pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit dhe të djalit të saj ishte gjithmonë duke qarë, deri sa u bë pjesë e këtij grupi shoqesh, me të cilat tani ndan çdo moment të bukur apo të vështirë të jetës.
Aishe: Unë para se të njihesha me grupin që jemi shoqe të ngushtë, komshie, kam Llambrini Gjinarin.
Ardit Gjebrea: Pra zonjën LLambrini që kemi të ftuar sot ti e njeh para të gjithëve. Sa vite keni mikesha bashkë?
Aishe: 60 vjet.
Ardit Gjebrea: Që në djep domethënë se ti 60 je sot.
Aishe: Jam 77-vjeçe.
Ardit Gjebrea: Çfarë thua! Kur them unë goca.
Aishe: E lidhëm më tepër shoqërinë se mua më ndodhën dy fatkeqësi brenda një viti e 3-4 muaj. Herën e parë më vdiq burri, pas 16 muajve të burrit më vdiq dhe djali. Në kohën kur më vdiq djali thash se më iku jeta komplet. Kisha dhe tre djem të tjerë, por gjithsekush ka vendin e vet.
Ardit Gjebrea: Normale për një nënë është shumë e vështirë.
Aishe: Llambrinia më shikonte gjithmonë duke qarë dhe më thotë “Aishe ai nuk kthehet më, ty të rrojnë këta që ke! Dhimbja jote do jetë gjithë kohën deri sa t’i shkosh afër. Bashkohu me grupin tonë!”Dhe unë atëherë fillova, me Llambrininë, me këto zonja që janë këtu, që më kanë mbështetur aq shumë dhe më kanë ndejtur afër. Nuk di si t’ua shpërblej.
Ardit Gjebrea: Dhe fillove të dalësh?
Aishe: Fillova të dal. Ku do ikim, në Prizren, në Korfuz, në Barcelonë, ku të ishte. Kemi bërë udhëtime bashkë brenda për brenda në Shqipëri. Gjithmonë zemra ka qenë e plagosur, por këto zonjat më kanë ndihmuar kaq shumë.