Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka deklaruar se qytetarët shqiptar lindin të varfër dhe largohen nga vendi në emigrim po të varfër, sepse nuk u jepen mundësi të barabarta.
Ajo shtoi se punët janë për militantët e partive dhe miqtë e tyre e jo për qytetarët e aftë që detyrohen të braktisin vendin.
Në një postim në Facebook, Tabaku tha se qeveria ka prioritet vetëm PPP, Amnistinë Fiskale dhe Pasaportat e Arta e jo qytetarët dhe ë ardhmen e tyre.
Postimi i plotë:
Europa është e ardhmja e paevitueshme edhe në ekonomi!
Sfidat me të cilat përballet Shqipëria sot janë të mëdha; një qeverisje që konsiderohet e korruptuar, kriza e agresionit rus në Ukrainë dhe më tej emigrimi që vendit i kushton 630 mln euro për vit.
Si mundet ne të ndalojmë një vend që po shpërbëhet duke i dhënë shansin atij të rikuperojë? Duke ndërtuar Europën në Shqipëri.
Për këtë ne na duhet që të vëmë në punë shtyllat kryesore që mbajnë të gjallë dhe në jetë një shoqëri;
Së pari t’i japim një shans tregut të lirë. Të rinjtë e talentuar në vendin tonë nuk mund të jenë të suksesshëm nëse tregu i lirë zëvendësohet apo zhbëhet për interesin e disa oligarkëve. Prandaj është e rëndësishme MSA, prandaj janë të rëndësishme liritë ekonomike. Nuk mjafton të jemi një shoqëri e aftë të prodhojmë risi, por edhe të mbajmë talentet tona këtu.
Së dyti, meritokracia e cila është baza për një ekonomi konkurruese dhe një shoqëri ku fiton më i zoti dhe shpërblehet i suksesshmi.
Së treti, mobiliteti social apo përkthyer ndryshe; sot shqiptarët lindin të varfër dhe largohen nga ky vend të varfër sepse nuk u jepen mundësitë dhe shanset e barabarta. Puna është për mikun apo militantin e partisë dhe jo për të aftët dhe të zotët.
Fatkeqësisht fokusi i qeverisë ka qenë i bazuar në një tjetër trekëndësh që ka shkatërruar dalëngadalë vendin;
– PPP që janë kthyer në makthin e buxhetit, kosto për qytetarët dhe investime që pasurojnë një grusht njerëzish.
– Iniciativa e Amnistisë Fiskale dhe Penale që ka qenë kundër produktive dhe që po prish ekuilibrat normal të atyre që kanë paguar përherë taksat dhe detyrimet.
– Pasaportat e Arta, një skemë shumë problematike që po ashtu shkatërron parimet e tregut të lirë, meritokracisë dhe mobilitetit social.
Koha t’i rikthehemi parimeve të shëndetshme që na afrojnë mundësinë për të ndërtuar Europën në Shqipëri!
/e.d