Në Shqipëri, prej disa kohësh, po zhvillohet me shpejtësi edhe tregu i detektivëve privatë. Bëhet fjalë për detektivë, të cilët mund t’i japin përgjigje njerëzve për tradhtitë bashkëshortore, për prindër të cilët duan të investigojnë lëvizjet e fëmijëve të tyre, apo edhe për raste të tjera ku njerëzit kanë dyshime.
Këta detektivë marrin informacione në rrugë të ndryshme për aktivitetin e personave për të cilët pala e tretë ka dyshime.
Por si bëhet investigimi? “Investigimi nis që në momentin kur objektivi del nga banesa në mëngjes, ndodh gjatë gjithë kohës. Provat janë me foto, video, por ka edhe nga ata që kërkojnë ballafaqim. Ka nga ata klientë që duan të jenë vetë në momentin kur ne i kapim. Këtë gjë unë nuk e preferoj, pasi mund të ndodhin edhe zënka. Më shumë këtë ma kërkojnë femrat”, tregon detektivja.