Policia e Durrësit ka vënë në pranga sot magazinierin e një kompanie dhe pronarin e një subjekti për vjedhjen e 54 thasëve me materiale ndërtimi.
Sipas njoftimit zyrtar bëhet me dije se magazinieri i një kompanie të prodhimit të materialeve të ndërtimit, qytetari Osman Alla në bashkëpunim me pronarin e një subjekti tregtar Rexhep Kaca kanë vjedhur disa herë gjatë nëntorit materiale të ndryshme nga kompania.
Njoftimi i plotë i policisë:
DVP Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Spots”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë dhe pronës.
-Vodhën materiale ndërtimi në një kompani, vihen në pranga magazinieri i kompanisë dhe pronari i një subjekti për tregtimin e materialeve të ndërtimit, që furnizohej nga kjo kompani.
-Zbardhen dhe dokumentohen 3 vjedhje në banesa dhe biznese të ndryshme. Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vjedhjeve, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, pas kallëzimit nga përfaqësuesi i një kompanie, për vjedhjen e materialeve të ndërtimit, nga magazinieri i kompanisë, kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe dokumentimin e vjedhjes.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi O. A. ka shpërdoruar detyrën si magazinier i kompanisë për prodhimin e materialeve të ndërtimit dhe në bashkëpunim më shtetasin R. K., pronar i një subjekti tregtar që furnizohej me materiale ndërtimi nga kjo kompani, kanë vjedhur disa herë, gjatë muajit nëntor, materiale të ndryshme ndërtimi, nga kompania.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 54 thasë me materiale ndërtimi që dyshohet se janë vjedhur nga këta shtetas.
Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit O. A., 32 vjeç dhe R. K., 62 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
/s.f