Festa e Pavarësisë u mbyll me një koncert madhështor të Dua Lipës në Sheshin Skënderbej. Ndërsa sot, Shqipëria feston (sërish e ndarë politikisht) Ditën e Çlirimit. Këtë datë politika e feston të ndarë, pasi e djathta feston 28 nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit, ndërsa 29 nëntori është festë vetëm për të majtën.
Ceremonia zyrtare zhvillohet pranë Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut, ku vendosen kurora me lule pranë memorialit të Nënës Shqipëri. Në të morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj dhe deputetë e zyrtarë vendorë socialistë. Në ceremoni mungoi kryeministri Rama.
Para nisjes së ceremonisë zyrtare, te Varrezat e Dëshmorëve u shfaqen si çdo vit edhe idhtarët e Enver Hoxhës, të cilët vendose pankarta dhe buqeta me lule në hyrje të varrezave.
Ndërkohë, kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i shoqëruar nga deputeti Arben Pëllumbi kanë mbërritur në ambientet e Dhomave Speciale të Gjykatës së Hagës, ku mbahen prej muajsh tashmë drejtuesit kryesorë të luftës së UÇK. Vizita e Ballës në Hagë vjen për të uruar liderët kosovarë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Këtë vizitë kreu i grupit të PS, Balla e paralajmëroi më herët gjatë punimeve të përbashkëta të dy kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës që u mbajt në Tiranë. Disa javë më parë, ish drejtuesit e UÇK u vizituan nga ish-presidentët e Shqipërisë në një takim të organizuar nga Behgjet Pacolli.
/a.r