Nga Endri Kajsiu
Shirat me intensitet të lartë kanë shkaktuar përmbytje në veri të vendit. Të gjitha strukturat e shtetit, ato të emergjencave civile, ato të ujrave, OSHEE, Urgjencat shëndetesore e kështu me radhë janë në terren 24 orë, duke bërë evakuime ku është nevoja dhe ofrim të shërbimeve sipas nevojave.
Ajo që është tallëse dhe ironike në këtë histori është vajtja e Sali Berishës në Shkodër. Kjo sepse në kohën kur qeveriste ai, shkodranët nuk morën kurrë as dëmshpërblime, as investime që parandalonin sadopak përmbytjet. E pikërisht ai që i ka lënë para 10 vitesh në ujë, sot shkon e bën ‘polubmarin’ politik, duke marrë me vete edhe kryebashkiakun i cili duhet të ishte në krye të punëve.
Mirëpo, kjo është strategjia e opozitës dhe sigurisht që kostot e tyre politike do shihen në zgjedhje, por, a e meriton Shkodra këtë tallje e përdorim? A do i kushtonte gjë kryebashkiakut nëse do shkonte në mbledhje të Shtabit të Emergjencave, ku dhe do jepte kontributin e tij për qytetarët?
Sigurisht që pyetjet janë retorike. Ajo që shihet qartë është se edhe në të vetmen bashki që Sali Berisha ka në dorë të kontribuojë, zgjedh të bëjë politikë dhe jo punë. Fundja, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, për sa kohë edhe kur ishte në pushtet e la Shkodrën në ujë pa asnjë investim e asnjë dëmshpërblim.