“I vetmi vend që tha na i sillni këtu, pasi e dinë se çfarë është të vuash dhe të ikësh nga vendi yt, ishte Shqipëria. Miku im Edi Rama tha, ata janë të mirëpritur këtu për të ndërtuar të ardhmen. Shqipëria i hapi dyert, nga të gjithë vendet Shqipëria i hapi dyert, refugjatëve afganë të cilët largoheshin, pasi luanin futboll në Afganistan”, ishte ky falenderimi i kreut të FIFA-s, Gianni Infantino gjatë konferencës prezantuese për shtyp të FIFA-s për Botërorin e Katarit.
Kryeministri Rama e ka shpërndarë në Facebook këtë deklaratë të kreut të FIFA-s, të cilin e quan një moment krenarie për Shqipërinë.
“Dhe me këtë moment krenarie për Shqipërinë nga konferenca prezantuese për shtyp e FIFA-s për Botërorin e Katarit, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar Kryeministri Rama në Facebook.
Kjo nuk është hera e parë që FIFA vlerëson kontributin e Shqipërisë sa i përket pritjes që u bëri afganëve. Më herët numri një i FIFA-s ka falenderuar kryeministrin Edi Rama për ndihmën që dha në mision humanitar dhe për zhvendosjen e sigurt të këtyre anëtarëve të komunitetit të futbollit në rrethana të tilla sfiduese.
Në Shqipëri u strehuan mbi 2 mijë afganë që u larguan nga vendi i tyre, një pjesë e tyre ishin edhe sportistë dhe përfaqësues të kombëtares afgane.
/a.r