Mijëra njerëz dolën dje në rrugët e kryeqytetit shqiptar, Tiranë, për të protestuar kundër qeverisë socialiste të Edi Ramës. Dailymail shkruan se të thirrur nga Sali Berisha, kreu i opozitës, ata u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit Rama për të protestuar kundër korrupsionit të dyshuar të qeverisë dhe rritjes së kostos së karburantit dhe ushqimit.
Në një fjalim para turmës, Berisha tha se Rama ishte fajtori për largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria, gjë që e ka lënë Britaninë përballë valëve të emigracionit të paligjshëm. Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike pretendoi se bota tani shqiptarwt i sheh si njerëz gomone pasi rreth 12,000 shqiptarë kaluan Kanalin me varka të vogla këtë vit.
“Shqiptarët sot janë një popull gomone, sepse dikush dhe ky është Edi Rama ua grabiti votën, i ktheu liritë e tyre në iluzion, në një votë fiktive, vetëm që të qëndronte në pushtet,” tha Berisha.
Ndërsa marshonin nëpër Tiranë, protestuesit mbanin një gomone me flamuj britanikë dhe shqiptarë për të ‘shprehur shqetësimin e tyre për eksodin masiv’ të të rinjve. Deri në 1,200 oficerë policie, shumë me mjete të plota për protestat, u vendosën për të kontrolluar turmat e shumta, pohuan raportet lokale. Megjithatë, disa demonstrues thyen kordonët e policisë për të goditur me shkelma dhe hedhur bojë në derën e kryeministrisë.
/s.f