Nëse Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e bazuar në propozimin franko-gjerman, atëherë Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës dhe ta trajtojë si një realitet të ndarë juridik, derisa Kosova duhet të pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Propozim – marrëveshja e ka emërtimin “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”, ka gjithsejtë nëntë nene dhe ato kryesoret janë të bazuara në kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga e cila rregullohen raportet ndër-shtetërore. Në këtë shkrim, Albanian Post i referohet një prej drafteve të para punuese. Në vijim do të shpjegohen edhe disa nga dinamikat që kanë ndodhur ose mund të ndodhin në hap e sipër.
Pjesë e rëndësishme e marrëveshjes, mbase pjesa më e rëndësishme, është preambula e saj. Në këtë preambulë shpjegohen parimet bazë mbi të cilat ndërtohet marrëveshja. Parimi kryesor është që kjo marrëveshje nuk ndërhyn në mënyrën si palët kontraktuese e shohin njëra-tjetrën, pastaj aty është edhe parimi që i përkujton palët për obligimet e tyre ndaj paqes dhe sigurisë, parimi i respektimit të kufijve apo vijave ndarëse si dhe parimi që kjo marrëveshje synon të krijojë kushtet për bashkëpunimin në mes të dy palëve, si diçka me interes për njerëzit e thjeshtë, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Pjesa dërrmuese e marrëveshjes, siç kishte raportuar Albanian Post, është e ndërtuar nga modeli i dy-Gjermanive i vitit 1972, nga pajtimi që ishte quajtur Marrëveshja Bazë. Gjermania e Kancelarit Scholz konsideron që përvoja gjermane, në menaxhimin e një çështjeje shumë të ndjeshme për gjermanët e pasluftës së dytë botërore, nuk mund të hidhet anash nga asnjëra palë.
Nga nëntë nene që aktualisht përmban marrëveshja, neni i parë, thotë se “Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta”.
Ky nen është shumë i rëndësishëm, paraqet bazën e të gjithë logjikës prapa propozimit. Ky nen, i cili është marrë nga marrëveshja bazë në mes të dy Gjermanive, paraqet një vlerë, por edhe kusht, që BE-ja, por sidomos Gjermania dhe Franca, ua kanë vënë Kosovës dhe Serbisë.
Qëndrimi i këtyre dy shteteve është i prerë, pavarësisht nga ajo si e shohin njëra-tjetrën, Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë njëra-tjetrën dhe duhet të sillen si fqinj të mirë. Këto vlera dhe ky kusht janë të vendosura lart edhe në parimet udhëheqëse të Procesit të Berlinit, që tashmë ka evoluar në një proces serioz dhe të pakapërcyeshëm për vendet e rajonit, si dhe në parimet e Komunitetit Politik Evropian (EPC) që do të jetësohet së shpejti.
Neni i dytë i marrëveshjes është neni tjetër thelbësor i saj, përmes të cilit Serbia e pranon Kosovën dhe ekzistencën e saj si një aktor i barabartë në marrëdhëniet e përbashkëta.
“Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, në veçanti nga barazia sovrane e të gjitha shteteve, respektimi i pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, e drejta e vetëvendosjes, ruajtja e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi”, thuhet në këtë nen, të cilit i është referuar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kur ka shpjeguar disa detaje të marrëveshjes ditë më parë.
Në Nenin tre sërish ka referim në kartën e OKB-së.
“Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”, pohohet në këtë nen, duke vazhduar më pas me një nga pjesët më të rëndësishme të dokumentit, “Ata (palët) riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen të kufirit/vijën ndarëse që ekziston ndërmjet tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin e tyre territorial”.
Të tre këto nene, Serbia i ka vlerësuar si problematike, sepse, në vlerësimin e tyre, këto nene i hapin rrugë Kosovës për anëtarësim të menjëhershëm në OKB. Sipas burimeve të AP, në proces e sipër, ndërmjetësit ndërkombëtar kanë shprehur vullnet që të bëjnë ndryshime vetëm në nenin 2 dhe 3, ku referencat ndaj kartës së OKB, dhe parimeve të tjera që rrjedhin nga kjo kartë, të zëvendësohen me referenca ndaj parimeve për anëtarësim në BE.
Burimet e AP rikujtojnë që BE-ja funksionon mbi parimin e barazisë në mes shtetesh anëtare ndërkaq kriteret e Kopenhagës vlejnë njësoj për të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësim. Për rikujtim këto kritere përfshijnë një demokraci të qëndrueshme dhe shtet të së drejtës, një ekonomi tregu funksionale dhe pranimin e të gjithë legjislacionit të BE-së.
Kalimi në referenca që lidhen me anëtarësimin në BE i jep Brukselit autonomi të madhe në menaxhimin e procesit, si dhe indirekt obligon të gjitha shtetet anëtare. Burimet e AP rikujtojnë që ky plan tashmë nuk është vetëm i Berlinit dhe Parisit, por është edhe plan i Komisionit Evropian.
Burimet e AP pohojnë që kalimi në referenca që lidhen me anëtarësimin me BE e përkufizon çështjen e Kosovës si një çështje brenda evropiane. Sipas burimeve të AP, referencat ndaj anëtarësimit në BE janë thelbësore, sepse këto i zhveshin palët nga retorikat boshe. Kosova dhe Serbia nuk mund të pohojnë si qëllim strategjik të tyre anëtarësimin në BE dhe njëherësh të refuzojnë referencat që lidhen më anëtarësimin në BE.
Burimet e AP pohojnë që Kancelari Scholz dhe Presidenti Macron janë treguar të mirë kuptueshëm ndaj ndjeshmërive të caktuara në Beograd, prandaj e kanë lënë të hapur mundësinë që të zbusin gjuhën, por kjo zbutje, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton që Kancelari Scholz dhe Presidenti Macron do të heqin dorë nga pozicioni i tyre themelor që Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e zgjidhur përfundimisht, politikisht dhe juridikisht, çështjen e hapur me Kosovën.
Ky pozicion, në mënyrë së paku implicite, duhet patjetër të jetë i përfshirë në marrëveshje, përndryshe e gjitha është thjesht joserioze dhe vetëm konfirmim i status-quos aktuale.
Sipas burimeve të AP, Serbia fare lehtë mund të dalë nga kjo situatë thjesht duke deklaruar që heqin dorë nga anëtarësimi në BE. Pas këtij deklarimi, Gjermania dhe Franca do të tërhiqeshin nga ky propozim, ndërkaq Komisioni Evropian do të niste procedurat e shkëputjes së të gjitha raporteve kontraktuale në mes të Serbisë dhe BE-së, që kanë lindur si rrjedhojë e procesit të aplikimit të Serbisë në BE.
Burimi i AP pyet: a mund Serbia ta bëjë këtë? Pra që të heqë dorë nga anëtarësimi në BE, që nënkupton edhe nga fondet dhe asistenca e madhe që merr nga Evropa? Natyrisht që jo. Por kjo po ashtu nënkupton që Serbia nuk mund të vazhdojë të shtirret që do anëtarësim në BE, të marr fonde dhe asistencë, dhe njëherësh të refuzojë kompromisin që ia ofrojnë dy shtetet më të mëdha të BE-së.
Sipas burimit të AP, Serbia duhet ta marr një vendim të madh, të guximshëm dhe vendimtar për të ardhmen e vet evropiane. Të heqë dorë nga anëtarësimi në BE, rrjedhimisht edhe nga asistenca aq e nevojshme për Serbinë, ose të nisë rrugën e vështirë drejt kompromisit që po i ofrohet.
Edhe neni katër, përbën një nga pjesët e rëndësishme që paraqet bazën për procesin e mëtejmë të integrimit për të dyja palët. Aty thuhet “Kosova dhe Serbia procedojnë/vazhdojnë tutje me supozimin se asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën ndërkombëtarisht ose të veprojë në emër të saj”.
Përmes këtij neni Serbia nuk mund më të pengojë rrugën e Kosovës drejt BE-së, përfshirë edhe të bëjë fushatë lobuese kundër Kosovës te pesë shtetet mosnjohëse, si dhe të pengojë antarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Burimet e AP rikujtojnë që anëtarësimi në Këshill të Evropës është parakusht themelor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Neni pesë trajton çështjen e sigurisë në Ballkan dhe thuhet se “Kosovë dhe Serbia do të promovojnë raporte paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do t’i kontribuojnë sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit në Evropë”.
Neni gjashtë, që konstaton qartësisht se “Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë” i hap rrugë Kosovës dhe Serbisë që të tejkalojnë shumë probleme praktike.
Një nga nenet më voluminoz është neni shtatë, që përcakton raportet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Ky nen është vazhdimësi logjike e nenit 6.
“Kosova dhe Serbia shprehin gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ata do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, trafikut, marrëdhënieve gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mbrojtjes së mjedisit dhe në fusha të tjera, mbi bazën e kësaj marrëveshje dhe për përfitimin e tyre reciprok. Detajet janë rënë dakord në Protokollin Suplementar”.
Duke pranuar juridiksionin e njëra-tjetrës, Kosova dhe Serbia mund të lidhin shumë marrëveshje të tjera, të ngjashme si ajo për kartat e identitetit. Sipas burimit të AP, marrëveshja aktuale për kartat e identitetit qëndron në tërësi brenda frymës së nenit 6 dhe nenit 7, dhe ky model mund të aplikohet në të gjitha fushat tjera.
Aktualisht Kosova dhe Serbia kanë marrëdhënie reciproke vetëm përmes zyrave ndërlidhëse që kanë funksion minimal dhe krejtësisht teknik, prandaj me këtë marrëveshje preket edhe kjo pjesë e rëndësishme dhe përcaktohet se “Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë misione të përhershme”.
Neni tetë gjithashtu saktëson se “Ato do të vendosen në selinë përkatëse të qeverisë. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e misioneve do të trajtohen veçmas”.
Neni i fundit aktualisht, neni nëntë, përbën pjesën më problematike të marrëveshjes për Kosovën.
Kjo sepse saktësohet se kjo marrëveshje nuk afekton ato parapraket, madje as ato të lidhura mes Kosovës dhe Serbisë, çka nënkupton zbatim të çdo marrëveshje apo pajtimi të lidhur më herët.
“Kosova dhe Serbia u pajtuan që kjo marrëveshje nuk prek traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura më parë prej tyre ose në lidhje me to”, thotë neni nëntë.
Sipas burimit të AP, ky nen mund të pësojë ndryshime dhe të ketë një referencë më të saktë e më të drejtpërdrejtë me marrëveshjet e mëhershme, por në thelb nuk është që ndryshon ndonjë gjë më shumë. Impementimi i marrëveshjeve paraprake është në raport të tipit simbiozë me marrëveshjen që parashihet me planin franko-gjerman.
Çështja e Asociacionit është thelbësore për ndërmjetësuesit. Refuzimi nga Kosova, pa dallim kush është në pushtet, që ta implementojë këtë marrëveshje e ul kredibilitetin e ndërmjetësve. Për më tepër i krijon hapësirë Serbisë që të ikë nga obligimet e veta, përfshirë edhe nevojën për ta pranuar planin franko-gjerman. Sipas burimit të AP, duke refuzuar nisjen e bisedave për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin, vetë Kosova është duke i krijuar hapësirë manovruese Serbisë.
Sipas burimit të AP, ndërmjetësit insistojnë në nisjen e bisedimeve për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin si dhe në bashkëpunimin e plotë të Kosovës, theksi këtu te kërkesa për shtyrje të vendimit për targat, në mënyrë që Serbia të zhvishet nga të gjitha argumentet që aktualisht është duke i përdorur në përpjekje për t’i ikur planit franko-gjerman. Pra, sipas burimit të AP, Kosova nuk duhet që me veprimet e veta, sado që ato shihen si të drejta, t’i japë alibi Serbisë.
Marrëveshja do të duhet të ketë edhe një nen tjetër, i cili është formal dhe tregon se dy vendet po pajtohen për të arritur këtë akord. Burimet e AP pohojnë që ky nen mund të mos përfshihet fare.
Është shumë e mundur që nga palët nuk do të obligohen që marrëveshja të ratifikohet në parlamentet përkatëse, por të hyjë në fuqi thjesht si zotim. Duke e kornizuar marrëveshjen si çështje brenda evropiane, implementimi i saj do të kthehet në kusht të pakapërcyeshëm drejt integrimit në BE. Sipas burimit të AP, ky trajtim obligues nga BE-ja e kthen marrëveshjen në detyrim ligjor për të dyja palët, pavarësisht mungesës së ratifikimit në parlamentet përkatëse.
Burimet e AP pohojnë që në këtë proces pjesa më e rëndësishme është fryma e marrëveshjes dhe mënyra si ajo interpretohet nga ndërmjetësit, në këtë rast BE-ja.
Gjithsesi, me këtë marrëveshje bazë nuk përfundon e tëra.
Për detaje të shumta e dhe tejet të rëndësishme duhet të arrihet pajtim në një dokument tjetër që përcaktohet edhe në nenin shtatë.
“Detajet janë rënë dakord në Protokollin Suplementar”, potencohet në këtë nen.
Protokollet suplementare janë specifike në lidhje me çështjet praktike që aktualisht rëndojnë raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas burimi të AP, deklarimi i Presidentes Osmani që plani franko-gjerman synon përmbledhjen e çështjeve në disa grupe, është referencë ndaj kësaj pike të propozimit.
Implementimi i këtyre protokolleve, krahas me pikat tjera të këtij propozimit si dhe i të gjitha marrëveshjeve paraprake, është një proces që do të shkojë në hap me dinamikat e Procesit të Berlinit dhe ato të Komunitetit Politik Evropian (EPC), pra do të jetë një hallkë e pakapërcyeshme në rrugën drejt integrimit në BE.
Gjithashtu, një pjesë e zotimeve për Kosovë, siç janë njohja nga pesë anëtarë të Bashkimit Evropian, katër të NATO-s dhe përshpejtimi i rrugës së integrimit për dy shtetet e zotimet financiare, të cilat edhe amerikani Gabriel Escobar, i kishte konfirmuar se do të jenë të shumta, nuk janë pajtime që nënshkruhen në letër. Ato përbëjnë zotime të partnerëve, të cilat akordohen në mirëbesim dhe bazuar në bashkëpunimin paraprak.
Diçka e tillë nuk ka ndodhur as në vitin 1972, me rastin e marrëveshjes në mes të dy Gjermanive. Burimi i AP rikujton që marrëveshja bazë e vitit 1972 i hapi rrugë njohjes së Gjermanisë lindore nga shtetet perëndimore si dhe antarësimit në organizata të ndryshme, edhe pse kjo gjë nuk ishte e përcaktuar në traktat.
Kjo marrëveshje e publikuar nga Albanian Post, mund të pësojë akoma ndryshime. Siç ka njoftuar edhe Josep Borell nga Bashkimi Evropian, palët tashmë i kanë dërguar përgjigjet dhe propozimet e tyre dhe nëse gjendet pajtim, ato mund të bëhen pjesë integrale e dokumentit.
Një moment i rëndësishëm do të jetë edhe takimi trepalësh i Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Edhe aty do të adresohen pakënaqësitë e dy shteteve në raport me dokumentin.
Qëndrimet e tanishme janë se në Kosovë, siç e ka pohuar edhe Kurti, dokumenti përbën “një bazë të mirë në drejtimin e duhur”, kurse në Serbi është thënë edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, se “pranimi i dokumentit, nënkupton pranim të pavarësisë së Kosovës”.
/e.d