Lufta në mesin e konkurentëve të Partisë Republikane për të qenë kandidati I parë për garën e Presidentit me demokratët vijon e bëhet edhe më e përgjakshme. Në “opozitë” prej 8 vitesh të dominuara nga Barack Obama, PR duket se është në një gjëndje ende tejet të vështirë, në kushtet kur kandidatët për President, përvec luftës me demokratët kanë nisur gjithsecili nga një fushatë për të delegjitimuar kundërshtarët brenda partisë nga ku ata kandidojnë.
Javën e kaluar në shtetin e Iowa, fitorja e republikanit Ted Cruz ishte , me fjalët e kreut editorial të prestigjozes Huffington Post Howard Fineman, një surprizë aspak surprizuese. Pavarësisht se në polle Donald Trump dilte tepër mirë në krahasim me Ted Cruz ( 31.9 % në krahasim me 16.1%) rezultati ishte i pritshëm sipas Fineman, i cili argumenton se pikë së pari, evangjelistët e Iowa-s, votuan evangjelistin e tyre dhe dhanë një goditje për politikën raciste të miliarderit 69 vjecar.
E në këtë pikë, kryeditori i Huffington Post shkruan se Trump në garë ndodhet kundër dy të senatorëve të rinj në moshë( Ted Cruz i Teksasit dhe Marko Rubio i Floridas) që me shumë mundësi në këtë garë do të “bashkojnë” forcat për të shtypur manjatin, i nuk ka kurrëfarë eksperience politike.
Cruz dhe Rubio, njëri një avokat i dalë nga universiteti i Princeton e Harvard, ndërsa tjetri, një kadidat me origjinë latine dhe karizmatik, janë në gjykimin e Fineman personat që do të vënë në darë Trump.
E në fakt, zhurma e madhe e Donald Trump i cili pas humbjes në Iowa kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve ose anullimin e votave të mara nga Cruz, ishin një shenjë. Zgjedhjet e Iowa treguan se deklaratat e Trump mund t’i marrë era. Si ajo kur miliarderi thotë se ai nuk ka humbur asnjëherë.
Pasi përfundoi i dyti Trump ka premtuar se do të fitojë në New Hampshire, madje edhe nominimin si Kandidati i PR për Shtëpinë e Bardhë.
Krye editori i Huffington Post e mbyll shkrimin e tij duke thënë:
Trump supozohej të ishte “meteori që do të shkatërronte politikbërjen aktuale”, por tanimë rezulton se ai është thjesht një kandidat si të tjerët, dhe ky është një lajm I mirë për Ted Cruz, Marko Rubio dhe për Amerikën.
E teksa për pak ditë nisin zgjedhjet në New Hampshire, akuzat dhe kundërakuzat mes kandidatëve kryesorë dhe jo kryesorë vijojnë të jenë të zjarrta. Në fokus të kësaj jave kanë qenë Marko Rubio dhe Donald Trump, të cilët kanë qenë më të rrezikuarit nga akuzat e 5 kandidatëve të tjerë republikanë.
Edhe në New Hampshire Trump kryeson bindshëm në polle, por gjithcka mbetet për tu parë. Ndërkohë akuzat vijojnë si të ishin një det i nxehtë. Ish Guvernatori i Floridas Jeb Bush, kandidat dhe ky i republikanëve për Shtëpinë e Bardhë, akuzoi Trump për përdorim të një gjuhe profane, madje edhe e ëma e tij, ish Zonja e Parë Barbara Bush e akuzoi milionerin për mizogjini. (Duke iu referuar disa ditëve më parë kur Trump rrefuzoi një intervistë në Fox News thjesht sepse nuk i pëlqente gazetarja)
Kandidati tjetër Chris Christie iu hodh në qafë me sulme Marko Rubios duke e akuzuar për propagandë dhe sjellje false përpara votuesve. Këtë e bëri duke nxjerrë në media disa video që tallnin kandidatin në fjalë.
Edhe Jeb Bush, vijoi me akuzat ndaj Rubios, ish nxënësit të tij, duke nxjerrë për publikun një reklamë që tregonte kandidatin e tërhequr Rick Santorum që përfshihej dhe mbështeste Rubion.
Tashmë pritet gara e rradhës në New Hapmshire. Pollet favorizojnë Trump me 32%, ndërsa në vend të dytë ndodhet Rubio me 16.1%. Votimi në këtë zonë bëhet më datë 9 shkurt.