Objektivi i policisë është ta bëjë vendin më të sigurt dhe për këtë infrastruktura e policisë dhe bashkëpunimi me qytetarët janë thelbësorë.
Këtë tha të martën në mesditë nga Sheshi “Nënë Tereza”, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, duke prezantuar motorrët e rinj të Policisë së Shtetit.
Në fjalën e tij, Ministri Tahiri vuri në dukej faktin se siguria dhe rendi nuk mund të përcaktohet brenda një dite, por duhet punë dhe kohë për ti përmirësuar.
“Ajo që është thelbësore është infrastruktura dhe puna me qytetarët. Ne e dimë shumë mirë, që siguria nuk mund të përmirësohet brenda ditës, muajit apo vitit, por lips një kohë të caktuar. Ne përmes përmirësimit të infrastrukturës ne modernizojmë policinë e shtetit, e bëjmë më të shpejtë dhe dinamike ndërhyrjen e saj”, vijoi Tahiri.
Ministri i Brendshëm shtoi se ky është një hap tjetër drejt një modeli të ri të Policisë së Shtetit.
“Po i japim jetën një tjetër hapi modernizues në Policinë e Shtetit. Model i ri i patrullimi. Shtojnë kapacitetin, duke pretenduar me plotë të drejtë ndërhyrjen e Policisë me dinamizëm në ngjarjet e ndryshme kriminale”, tha Tahiri.
“Policia nuk rregullohet brenda një dite apo viti, por duke përmirësuar hap pas hapi infrastrukturën, teknologjinë dhe kulturën e punës së Policisë së Shtetit. E dimë shumë mirë, që bota e krimit ka një infrastrukturë shpesh herë shumë hapa para, ndaj shtetit dhe Policisë. Sfida jonë për ta bërë vendin sa më të sigurt dhe modernizimi i shërben pikërisht kësaj”, vijoi ministri.
ATSH