Në Kuvendin e Kosovës kanë arritur shkresat e dorëheqjes së deputetëve të Listës Serbe. Lajmin e ka konfirmuar Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Pas mbledhjes së Kryesisë, ai tha se deputetët do të zëvendësohen dhe për këtë do t’i drejtohet presidentes Vjosa Osmani.
“Ligji thotë që karakteri i dorëheqjes së tyre është i parevokueshëm, natyra e dorëheqjes së deputetëve të Listës Serbe, do ta procedojmë sipas ligjit. Ligji i Republikës së Kosovës thotë që ata duhet të zëvendësohen.
Do t’i drejtohem presidentes e pastaj procedura të tjera thonë që presidentja t’i drejtohet KQZ-së, e pastaj KQZ i përgjigjet presidentes me propozimet e reja të cilat me sa e di unë prapë vijnë nga e njëjta listë, prapë vijnë nga i njëjti grup parlamentar.
Nëse ata refuzojnë, tjerët të cilët janë me radhë, procedura përsëritet derisa të plotësojmë vendet e reja në kuvend”.
Konjufca më tej tha se më këto dorëheqje, nuk ka ndodh kurrfarë rrezikimi i rendit të Kushtetutës së Kosovës.
“Krejt çka ka ndodh është një dorëheqje më e madhe sepse nuk kemi pasur një të tillë kurrë në kuvendin e Kosovës. S’ka kurrfarë hendeku kushtetues, me këto dorëheqje s’preket aspak rendi kushtetues i Kosovës.
Pse në kuvend përkohësisht do të jenë 110 deputetë, kjo nuk është aspak antikushtetuese, këto i parasheh kushtetua si mundësi dhe i sqaron të gjitha procedura për zëvendësimin e tyre, s’jemi në një krizë kushtetuese. Pas kësaj dorëheqje jemi në procedura normale të zëvendësimit të tyre”, tha Konjufca.
/e.d