Kreu i Komitetit shqiptar të Helsinkit Vjollca Meçe flet për Javanews për Reformën Zgjedhore, Komisionin Zgjedhor (KZ) dhe një sërë problematikash, që lidhen me zgjedhjet në Shqipëri. Për juristen nuk jemi vonë, por megjithatë puna duhet të fillojë me seriozitet, që nga depolitizimi i administratës zgjedhore, por edhe me shumë elementë të tjerë që lidhen me KZ-në, si p.sh. unifikimin e legjislacionit në lidhje me institutin e “vendbanimit”, por edhe me nevojën e trajtimit dhe plotësimit të dispozitave të KZ në lidhje me referendumin…
Intervistoi Ben Andoni
Juristja e njohur nuk ngutet në dukje për domosdoshmërinë e Reformës Zgjedhore, por lë të nënkuptohet se puna duhet të fillojë menjëherë. Në këtë intervistë, ajo shprehet për procesin e pakthyeshëm të një reformimi të tij por edhe një sjellje ndryshe të KZ, të këtij institucioni tejet të përfolur politikisht në Shqipëri. “Një tjetër çështje e rëndësishme është ajo që lidhur me lirinë e votimit. Të votosh në mënyrë të lirë e të drejtë do të thotë të kesh të gjitha mundësitë dhe kushtet për t’u informuar, objektivisht, rreth cilësive të kandidatëve, ti vlerësosh ata nga këndvështrimi i pritshmërive të tua personale dhe të konkludosh për dhënien e votës si zgjedhës, pa asnjë presion nga të tretët. Kam mendimin se KZ nuk na i krijon plotësisht rrethana të tilla. Ne informohemi vetëm nga partitë politike, të cilat janë të interesuara të parashtrojnë vetëm cilësitë e mira të kandidatëve të tyre, për mos thënë që shpesh, në fushata, nuk flasin fare rreth tyre por vetëm për programet e partive. Ka nevojë që komunikimi i kandidatëve me zgjedhësit të bëhet më i drejtpërdrejtë”, shprehet ajo për Javanews. Dhe, fakti i përfshirjes së të inkriminuarve e vërteton shqetësimin e saj.
Po kështu, ajo mendon se duhet të unifikojmë legjislacionin në lidhje me institutin e “vendbanimit”, sepse ai përbën bazën për t’u përfshirë në listat e zgjedhësve dhe për pasojë dhe i mundësisë së ushtrimit të së drejtës së votës nga qytetari, ashtu si ka ardhur koha se nuk mund të shtyhet më trajtimi dhe plotësimi i dispozitave të KZ në lidhje me referendumin…
Ashtu si ndodh zakonisht tek ne, ka lexime të ndryshme nga forcat politike për performancën e zgjedhjeve të fundit. Pozitivisht nga ata që fitojnë dhe anasjellë. Si e konsideroni Ju, personalisht, nga duhet nisur puna për Reformën Zgjedhore?
“Po, ashtu siç thoni ju ndodh shpesh me klasën tonë politike, por duket se kësaj radhe, të paktën 3 partitë më të mëdha të vendit, kanë pranuar dhe deklaruar nevojën e rishikimit të KZ dhe plotësimin e sugjerimeve që ka parashtruar rreth tij OSBE/ODIHR. KZ është ligji që rregullon procedurat e votimit dhe numërimit të votave, si dhe deklarimit të rezultatit final të zgjedhjeve, duke pasqyruar në të, në mënyrë të drejtë, votat e zgjedhësve. Nga ana tjetër, në procesin zgjedhor janë të përfshirë shumë subjekte zgjedhore, të cilat shpesh janë parti politike, por mbi të gjitha në këtë proces spikat prania dhe roli i zgjedhësve, të cilët janë aktori kryesor i tyre. Në këtë kuadër, interesi për rregullat e procesit të votimit u përket shumë subjekteve dhe jo vetëm partive parlamentare. Për këtë arsye procesi i ndryshimeve në KZ duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent. Në mënyrë të veçantë komisioni përkatës duhet të shikojë përmirësimin e dispozitave që u garantojnë zgjedhësve ushtrimin e drejtë e të lirë të drejtës së votës, të ofrojnë mundësi votimi për të gjithë shtetasit që e gëzojnë këtë të drejtë dhe të garantojnë që numërimi i votave të bëhet drejtë dhe brenda një afati sa më të shkurtër. Kjo do të kërkonte, së paku, depolitizimin e administratës zgjedhore”.
Çfarë e pengon legjislacionin tonë zgjedhor të jetë me standardet ndërkombëtare dhe t’i përfshijë ashtu si duhet të gjithë aktorët politikë dhe institucionet shtetërore në procesin zgjedhor?
“Standardet e Kopenhagenit, që janë një pikë referimi për klasifikimin e zgjedhjeve demokratike, kërkojnë që të gjithë shtetasve që gëzojnë të drejtën e votës, sipas legjislacionit vendas, t’u krijohen mundësitë reale për ta ushtruar atë. Siç dihet ne kemi një numër të madh shtetasish që jetojnë jashtë vendit, të cilëve nuk u kemi krijuar asnjë mundësi për ta ushtruar të drejtën e votës, nëse nuk vijnë për të votuar në Shqipëri. Kjo është një çështje që duhet parë me kujdes, sepse lidhet me standardet. Një tjetër çështje e rëndësishme është ajo që lidhur me lirinë e votimit. Të votosh në mënyrë të lirë e të drejtë do të thotë të kesh të gjitha mundësitë dhe kushtet për t’u informuar, objektivisht, rreth cilësive të kandidatëve, ti vlerësosh ata nga këndvështrimi i pritshmërive të tua personale dhe të konkludosh për dhënien e votës si zgjedhës, pa asnjë presion nga të tretët. Kam mendimin se KZ nuk na i krijon plotësisht rrethana të tilla. Ne informohemi vetëm nga partitë politike, të cilat janë të interesuara të parashtrojnë vetëm cilësitë e mira të kandidatëve të tyre, për mos thënë që shpesh, në fushata, nuk flasin fare rreth tyre por vetëm për programet e partive. Ka nevojë që komunikimi i kandidatëve me zgjedhësit të bëhet më i drejtpërdrejtë. Fakti që në organet e pushtetit shtetëror kanë penetruar njerëz të inkriminuar, të cilët publiku nuk do t’i kishte votuar kurrë, është një provë në këtë drejtim. Nga kjo pikëpamje mbase ka vend të rishikohet dhe sistemi zgjedhor, por gjithsesi e rëndësishme është të plotësohen standardet në favor të zgjedhësve. Po kështu duhet të unifikojmë legjislacionin në lidhje me institutin e “vendbanimit”, sepse ai përbën bazën për t’u përfshirë në listat e zgjedhësve dhe për pasojë dhe i mundësisë së ushtrimit të së drejtës së votës.
Së fundi, do të theksoja se Referendumi është shprehje dhe manifestim i demokracisë direkt, përpos një e drejtë kushtetuese e zgjedhësve. Referendumi është një mjet ligjor që mund të zgjerojë demokracinë në vend në kushtet kur klasa politike ka humbur ndjeshëm besimin e shtetasve, siç rezulton nga një sondazh i organizatës IDM. Prandaj jam e mendimit se nuk mund të shtyhet më trajtimi dhe plotësimi i dispozitave të KZ në lidhje me referendumin”.
Mendoni se jemi pak vonë për të nisur reflektimin ndaj rekomandimeve të raporteve përfundimtare të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe zgjedhjet vendore të vitit 2015, si dhe ndjekjen e praktikave më të mira parlamentare dhe përgatitjen e duhur të ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor?
“Nuk mendoj se jemi vonë, por në të njëjtën kohë mund të nënvizoj se duhet të shpejtojmë e të veprojmë në këtë drejtim, duke pasur synime të qarta. Transparenca në këtë veprimtari është tepër e rëndësishme dhe mediat kanë një rol të veçantë për këtë qëllim”.