Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se së shpejti, Tiranën do ta vizitojnë presidenti gjerman, Frank Walter Steinmeier dhe kancelari Olaf Scholz.
Deklaratën, Balla e dha gjatë një konference të përbashkët për shtyp me deputeten e Bundestagut Gjerman, Gabriela Heinrich.
Sipas tij, marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë janë në nivelin më të lartë historik.
“Gjej rastin edhe një herë, që të falenderoj miqtë gjermanë për prezencën e tyre. Nuk hezitoj asnjëherë të kujtoj që Gjermania mbetet financuesi kryesor, përsa i përket rrugës evropiane të Shqipërisë.
Kjo mbështetje gjermane, sot vjen edhe në një moment tjetër, të një niveli shumë të lartë, më i larti historik i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Në një kohë të shkurtër do të kemi në Tiranë, edhe presidentin gjerman, edhe kancelarin. Është një shprehje e një niveli shumë të lartë shkëmbimi diplomatik”, theksoi ai.
/s.f