Qeveria ka miratuar çmimet e reja për tokën bujqësore dhe tokën truall në të gjithë vendin, bazuar për herë të parë me hartën e re territoriale. Çmimet e reja, që kanë hyrë në fuqi në fundjavë, vlejnë për të 61 njësit administrative në m,barë vendin. Krahasuar me hartën e miratuar një vit më parë, vihet re një rritje e ndjeshme e çmimeve, kryesisht në kryeqytet dhe në zonën bregdetare të Durrësit, por ndryshime kanë pësuar në çmim edhe tokat në Fier, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër. Në shumë pak qarqe rezulton që çmimi të ketë pësuar ulje, ndërkohë, të pandryshuara kanë mbetur çmimet në Sarandë, ku një metër katror do të mund të blihet me të njëjtat tarifa.
Kompensimet
Çmimet e reja të pronave do të jenë edhe si referencë për kompensimin e pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje. Sipas ligjit të ri të qeverisë, i cili në 10 vjet pritet të zgjidhë çështjen e kompensimit të pronave, formula parashikon që zëri kadastral të jetë ai që ka pasur prona në momentin e konfiskimit, por çmimet të jenë këto të sotmet. Ndonëse rritja e çmimeve është e favorshme për familjet ish-pronare, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ato që janë në proces legalizimi dhe u takojnë të paguajnë për faturën e tokës. Bëhet fjalë për kategorinë e ndërtimeve në tokë shtet dhe tokë me pronarë. Fatura që këto familje do të kenë në ngarkim do të njohë një rritje të ndjeshme, megjithatë lehtësirat që aplikohen e reduktojnë detyrimin financiar.