Po vjen dita e “finales”. Të shtunën në mbrëmje, ora 20:45, nëna e të gjitha ndeshjeve, Juventus-Napoli. Nuk e dimë se si do të përfundojë, por paraprakisht mund të tregohet se çfarë avantazhesh ka secila prej skuadrave në krahasim me tjetrën.
Çfarë ka Napoli më tepër se Juve
1 Sulmi: Më i miri i kampionatit, pa rivalë, 53 gola të shënuar. I dyti, pikërisht i Juventusit, ka shënuar 45. Thuhet se kampionatin e fiton mbrojtja më e fortë, por nuk është ashtu. Në 23 raste ka fituar skuadra me mbrojtjen më të fortë, në 24 të tjera sulmi më pdodhues.
2 Higuain: Një gol për ndeshje, 24 në 24 javë kampionat. Me të çdo ndeshje fillon vërtet 1-0. Lojtari më i mirë i Serisë A, pa diskutim. I vetmi që i fiton vetë ndeshjet.
3 Dy pikë epërsi: Është një avantazh që i jep Napolit mundësinë të kënaqet edhe me një barazim. Ato dy pikë krijojnë një diferencë të rëndësishme. Nëse Napoli fiton, merr arratinë. Humbja e lë ngjitur me kreun, vetëm një pikë poshtë. Juventus është i detyruar të mos humbasë.
4 Zero dëmtime: Juventus kishte më tepër alternativa, por pastaj mbërritën dëmtimet, të gjithë njëherazi: Khedira, Mandzukic, Caceres, Chiellini. Kjo e ka ndryshuar situatën, tani është Napoli që më tepër mundësi zgjedhjeje.
5 Uria: Napoli është i uritur si dikush që nuk fiton prej kohësh. Para se të heqë dorë, do të japë shpirtin.
6 Lojë e paparashikueshme: Ka shumë zgjidhje në sulm, të përshtatura me të njëjtin modul. Insigne e Callejon në krahë, Higuain në mes, Hamsik që gjen vendin e duhur, Jorginho frymëzues dhe mbrojtësit e krahut që shtyjnë përpara. Me ta mund të krijohet çdo lloj magjie.
7 Formacion i kolauduar: Shpesh luan i njëjti 11-sh, një cilësi më tepër, pasi veprimet automatike janë të kolauduara.
8 Trajner special: Sarri po jeton një përrallë, bashkë me Napolin: nga amatorët te ëndrra e titullit. E pabesueshme.
9 Tifozët e dashuruar: Tifozët e Napolit nuk do të jenë në “Juventus Stadium”, por entuziazmi i tyre do t’i ndihmojë djemtë. Kur luajnë duket sikur fluturojnë nga shtysa e njerëzve.
10 Takim me historinë: Të kaltrit ndjekin një objektiv që e kanë arritur vetëm dy herë në të shkuarën dhe në të dy rastet me një kampion jashtë kategorisë në skuadër: Maradonën. Ideja e të sjellit të titullit të parë në Napoli, duke lënë mënjanë Diegon, i jep një shije të veçantë garës.
Çfarë ka Juve më tepër se Napoli
1 Mbrojtja: Më e mira e kampionatit, pa rivalë, 15 gola të pësuar. E dyta, ajo e Napolit, në kuotën 19. Një garanci absolute.
2 Tifozët: Në stadium nuk do të jenë përkrahësit e Napolit, për motive të rendit publik, sidoqoftë impianti torinez është gjithmonë një armë më tepër për bardhezinjtë. Të kesh tifozët kaq pranë fushës vlen me siguri disa pikë më tepër gjatë kampionatit, ndaj edhe të shtunën i jep avantazh Juventusit.
3 I mësuar të fitojë: Familjariteti me të tilla takime mund të jetë përcaktues. Napoli është më pak i provuar se Juve për këto lloje “finalesh”, jo rastësisht sapo ka luajtur edhe një finale të Champions League.
4 Buffon e Dybala: Napoli ka Higuain, Juve i kundërvë portierin më të mirë të historisë dhe një bashkatdhetar me talent të pafund. Kush do të fitojë? Të shohim, por e sigurt është që Juve ka dy armë të jashtëzakonshme, një para e një prapa.
5 Aftësia për të ndryshuar modul: Juventus mund të kalojë lirshëm nga mbrojtja me tre në atë me katër, falë përvojës së grumbulluar fillimisht me Conten e tani me Allegrin. Një avantazh edhe në ndeshje e sipër.
6 Trajneri ekspert: Allegri është temperuar në mijëra betja gjatë këtyre viteve dhe ka demonstruar se di të interpretojë mirë çdo ndeshje, edhe gjatë zhvillimit të saj.
7 Alternativat: Edhe pse me shumë dëmtime, Juventus ka alternativa që i bëjnë të ndihen më pak. Do të ndihen pa diskutim, sidomos Chiellini e Khedira, por bardhezinjtë do të jenë sërish gati. Sikur kjo situatë t’i ndodhte Napolit, të kaltrit do ta kishin shumë më të vështirë.
8 Ftohtësia: Karakteristikë historike e Juventusit. Ka aftësinë të fitojë edhe kur nuk entuziazmon. Edhe për këtë arsye ka fituar shumë më tepër se të tjerat.
9 Ambienti i qetë: Pas katër titujve radhazi nuk ka detyrimin absolut për të fituar. Për më tepër, Torino është qytet që i lejon të jetojnë qetësisht kampionët e saj. Sfida me Napolin do të përgatitet pa presion të shtuar.
10 Pesha politike: Siç thoshte avokati Agnelli, inferioriteti psikologjik ekziston dhe e njeh peshën e një klubi ashtu si dhe te njerëzit. Juventus, si klub, është sigurisht i një niveli superior karshi Napolit dhe kjo historikisht ka pasur peshë. Arbitri, duke përjashtuar surprizat, do të jetë Rizzoli.
Calciomercato/JavaNews