Sfida e madhe Juventus–Bayern në Champions League do të luhet më 23 shkurt në Torino, por media italiane ka menduar ta “servirë” më shpejt duelin e shumëpritur.
Nga konferenca e fundit e trajnerit të Bayernit, Pep Guardiola, një sit napoletan ka shkëputur një deklaratë të 44-vjeçarit, të cilësuar si provokim për Juventusin e Massimiliano Allegrit.
“Juventus? I fortë dhe nënkampion i Evropës, e dimë. Këtë e tregon seria e fitoreve të këtij sezoni, por… gabohem unë apo është ende i dyti në Serie A? Kjo do të thotë diçka. E sigurt që ata që janë sipër Juventusit po bëjnë më mirë dhe nuk e kuptoj pse nuk flitet për ta.”
Pikërisht këto fjalë kanë krijuar një histori.
I pyetur për vlerësimin nga Pep, tekniku i skuadrës napoletane, Maurizio Sarri, ka shprehur kënaqësinë: “Më bëhet qejfi që Guardiola ka folur për ne. Është diçka e madhe.” Sarri ka buzëqeshur, krenar për punën dhe Napolin e tij, por pa e ditur se sa e vërtetë është e gjitha kjo.
Në Itali, deklarata e trajnerit të Bayernit “mori dhenë” brenda dy ditësh, por në Gjermani askush nuk i ka “kapur” fjalitë e bujshme të katalanasit.
Jose Carlos Menzel Lopez, korrespondent i spanjolles “AS” në Gjermani dhe redaktor i “TZ”, ka shpjeguar çështjen e krijuar. “Kam qenë i pranishëm në konferencën për shtyp të Guardiolës, por trajneri nuk ka folur për Juventusin dhe Napolin.
Pasi kam lexuar deklaratën e Sarrit, kam kërkuar edhe nga kolegët e tjerë për të kuptuar se ç’ka ndodhur. Por, asgjë”, thotë ai. “Në Gjermani askush nuk di gjë për këto fjalë. Sarri, gjithsesi, do t’i meritonte elozhet për punën e tij të madhe”.