Nga Frrok Çupi
Çfarë mund t’i ndodhë shkollës sot, nëse papritur, disa agjentë të agjenturës sekrete ose edhe ‘alienë’ të tjerë nga shekulli Vl do të shfaqeshin në oborrin e shkollës ose në klasat e nxënësve?… Këtë pyetje shtroi edhe Mark Twain kur tentonte të perceptonte një amerikan që, papritur, u ndodh në Anglinë e shekullit Vl, pikërisht në oborrin e mbretit Artur… Rreth kësaj ndodhie, Mark Twain pyet: ‘Vallë çfarë e goditi kokën e amerikanit që e çoi menjëherë pesëmbëdhjetë shekuj pas?’.
Në invers, kjo pyetje mund të bëhet sot mes nesh, që nuk jemi as amerikanë, as britanikë dhe as mbretërorë të Arturit. U desh vetëm një protestë e pakuptimtë e mësuesve në universitete, për të hyrë në thelbin e çështjes. Thelbi nuk ishte as mësimi, as shkenca, madje as pagesa.
Thelbi ishte ‘alieni’, ardhur nga një shekull i lënë pas. Nuk e kam fjalën vetëm për drejtuesin e grevës, Sandër Kovaçi, dhe jo vetëm pse ai vjen nga bota e ‘shërbimeve sekrete’, si një botë që nuk ka lidhje me universiarizmin. Kur them ‘universiarizmin’ kam parasysh ‘tërësinë’ ose edhe ‘gjithësinë’ e gjësë; dhe gjëja është dituria. Duke qenë në shërbim të shërbimit sekret, një jetë të tërë burri i botës është marrë me ndjekjen, me ligësinë, me torturën e tjetrit…, ose të paktën me shikimin e ngushtë si nga vrima e çelësit. Ky lloj njeriu vjen në universialitet dhe imponohet si ‘mësues i gjithësisë’.
Këtu e kam fjalën kur po flas për ‘shikasit në oborrin e mbretit Artur’. Sepse unë nuk e besoj se dikush që është dedikuar në ndjekien pasiononte të armikut të Partisë së tij, të vijë një ditë që po ky njeri të ketë energji pozitive, dije të qeta e të shtrira, kulturë të kohës, të ketë shpirt mësuesie… Jo, sepse është e pamundur që këto të mbahen në të njëjtin kurm. As edhe një tregtar atletesh nuk besoj se t’i thuash mbylle dyqanin e hajde mëso studentët, nuk do të mund ta bënte këtë gjë.
Ky është kuptimi më i thjeshtë i ‘figurës së mësuesit në universitet’.
Ndërsa kuptimi ynë mbi marrëdhënien SHIK- Jetë publike, është një kuptim që ende zgjon të dridhura të shumë njerëz. Shikas-it e fillimit të kësaj periudhe ‘demokratike’, ku bënte pjesë edhe mësuesi i matematikës, Kovaçi, provën e parë të përgjimit dhe dhunës e ushtruan pikërisht mbi studentët. Në fund të shkurtit 1997, shikasit ushtruan dhunë mbi studentët e Universitetit ‘Ismail Qemali’ në Vlorë. Cila ishte arsyeja? Arsyeja vinte me urdhër nga Tirana: ‘Kushdo që vihet përballë ushtrisë presidenciale për të mposhtur rebelët e Jugut, të kthehet në objekt të SHIK- ut’.
Studentët sapo kishin nisur një grevë urie me kërkesa për vendosjen e paqes së shkatërruar nga shteti, për cilësi mësimore dhe për kthimin te prindërit e tyre të parave të vjedhura nga skemat piramidale. Shikas-it hynë me forcë, natën, në dhomat e studentëve dhe ushtruan terror. Të nesërmen ndodhi ngjarja më e trishtë në qytet, vrasja dhe djegia e selisë së SHIK, ku kishte dokumente pa fund të përgjimit dhe që nuk duhej të binin në dorë të popullit (!).
Marrëdhënia SHIK- Shkollë është marrëdhënia më e trishtë dhe më alarmuese në jetën tonë publike.
Po atëherë, vallë, pse zgjidhet kategoria ‘SHISH’ sot për të deleguar ‘alienë’ në universitet? Është e njëjta teknologji e përdorur nga shkrimtari amerikan Twain për të dëshmuar se si një amerikan i shekullit 19 ‘u godit në kokë’ dhe e gjeti veten pikërisht në Britani, në shekullin Vl dhe në oborrin e mbretit. Në jetën tonë reale, shqiptare, e njëjta gjë ka ndodhur në disa fusha. Ja dy prej tyre:
E para, lidhja mes shikas-ve dhe shkollës
E dyta, lidhja mes mjekëve dhe qeverisjes.
Sa për të parën:
Një studiues i mirëfilltë i shërbimeve inteligjente, atë çfarë ka ndodhur në mesin tonë, do ta konsideronte një ‘alarm për një gjendje toksike’. Por nuk po e konsiderojmë deri këtu…; dmth nuk po e konsiderojmë se kjo është bërë me qëllim për të ndikuar te rinia e arsimuar që t’i manipulohet truri alias ‘inteligjencie’. Në vendin tonë, pas viteve ’90, mësuesit u ngjitën deri në majat më të larta ët shërbimit sekret, dhe anasjelltas: Zbritën nga majat e Inteligjencies dhe u vunë në krye të studentëve.
I pari pedagog që u rekrutua për në SHIK, ishte Bashkim Gazidede. Ai kujtohet si i deleguari i presidentit në dhunën kundër studentëve dhe popullit në Jug.
I dyti ishte Fatos Klosi, edhe ky një pedagog po nga auditorët e Gazidedes.
Dhe i treti, zoti Kovaçi, po nga të njëjtat banka…
Për të dytën: Lidhjen mjek- qeverisje…, kjo i ka dhënë hije bezdisëse gjithë dekadave të fundit. Edhe sot po tentojnë të sjellin një mjek kandidat për Tiranën. Pasi dështoi Berisha, pasi nuk rezistoi Ali Spahiu, pasi Shehu e kuptoi se ‘kaq ishte politika’…
Pasi ndodhi fenomeni, duhet të bëjmë pyetjet ‘pse?’ dhe ‘si?’
Pse dhe si u rreshtuan mësuesit, sidomos mësuesit e matematikës drejt SHIK- ut dhe nga SHISH, drejt shkollës? Pse dhe si u rreshtuan mjekët, sidomos mjekët që nuk kishin asnjë punë të njohur në fushën e tyre, për në qeverisjen e vendit… Është shumë e thjeshtë: Qeverisja dhe të gjitha punët e varura nga politika, u rreshtuan sipas tarafit, sipas klanit e sipas klikës. ‘A je mësues matematike?… Hajde në SHIK… A je doktor, hajde në qeveri!…’
Sot e kësaj dite nuk e kemi kuptuar pse-në, veçse shikojmë vulgaritetin: Njeriu i SHIK-ut zbret në oborrin e shkollës dhe ndërton ‘kryengritjen për paratë e mia’.