Cilat janë disa nga bastet më të sofistikuara që vënë politikanët?
Prej vitesh, qeveritarë dhe zyrtarë të lartë amerikanë po investojnë në aksione të kompanive, të cilat ata janë direkt të përgjegjshëm t’i auditojnë dhe rregullojnë. Kjo, sigurisht, do të skandalizonte këdo që kupton bazat e ekonomisë. Për të kuptuar arsyen, le të lexojmë më poshtë.
Wall Street Journal raportoi javën e shkuar se mbi “2,600 zyrtarë në agjencinë e Departamentit të Tregtisë në Thesarin e Shtetit Amerikan, gjatë administratës republikane por edhe asaj demokrate, kishin investuar në aksionet e kompanive, të cilat ishin po të njëjtat që lobonin rregullisht në agjencitë e tyre për politika më të favorshme.
Kjo mund të përkthehet në më shumë se 1 në 5 zyrtarë të lartë federalë që e praktikojnë këtë aktivitet në 50 agjenci federale të ndryshme të shqyrtuara nga Wall Street Journal.
Shembujt janë të panumërt.
Zyrtarë të lartë në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit po investojnë fuqimisht në kompanitë e naftës dhe gazit – të cilat janë në të njëjtën kohë, ndër lobuesit kryesor në këto agjenci. Në parim, këto agjenci shtetërore presupozohet të mbrojnë mjedisin, por nga ana tjetër, ata kanë në dorë t’i lehtësojnë këtyre kompanive praktikat e tyre që janë shpesh ato që e dëmtojnë më tepër ambientin se çdokush tjetër.
Një tjetër shembull është ai i Kreut të Administratës së Ushqimit dhe Barnave i cili investon pikërisht në bursën e rezervave kombëtare të ushqimeve dhe barnave.
Në Departamentin e Mbrojtjes, zyrtarët në zyrën e sekretariatit raportuan se zotëronin kolektivisht midis $1.2 dhe $3.4 milionë dollarë aksione në vit, në kompanitë e hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes. Disa madje mbanin aksione në kompani kineze të cilat qeveria amerikane prej kohësh po shqyrton t’i fusë në listën e zezë.
Pyetja është e thjesht.
Si mundet të lobojnë këta zyrtarë për shëndetin apo mjedisin kur kanë një konflikt të drejtpërdrejt interesi? Nga ana tjetër si mundet këta mijëra zyrtarë amerikanë të vendosin baste thuajse të sigurta në aksionet e kompanive të cilat ata i kanë nën juridiksionin e tyre të drejtpërdrejtë? Është e qartë se ata nuk munden.
Por, kjo lejohet. E vetmja gjë që ata duhet të bëjnë – sipas ligjit – është të deklarojnë investimet dhe të ardhurat e tyre në fund të vitit dhe gjithçka është në rregull.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u duk se u mundua deri diku t’i kushtonte vëmendje këtyre problematikave duke propozuar ndryshime ndaj rregullave aktuale me qëllim ndalimin e këtyre zyrtarëve për të investuar në aksione tek të cilat ata kanë konflikt të drejtpërdrejt interesi, por projektligji sipas analistëve të The Journal është tejet i dobët dhe aktualisht ka ngecur në Kongres.
Hetimi i tyre rigoroz analizoi mbi 31,000 formularë të deklarimeve financiare të mbi 12,000 punonjësve të lartë të karrierës. Ai përfshinë të dhëna mbi rreth 315,000 investime aktive në aksione, obligacione dhe fonde të bëra nga zyrtarët, bashkëshortët apo fëmijët e tyre.
“Zyrtarët e agjencisë federale, shumë prej tyre të panjohur për publikun, kanë fuqi dhe ndikim të jashtëzakonshëm mbi gjërat që ndikojnë në jetën e përditshme të amerikanëve të zakonshëm, si shëndeti publik, siguria ushqimore, marrëdhëniet diplomatike dhe rregullimi i tregtisë”, tha Don. Fox, një avokat etike dhe ish-këshilltar i përgjithshëm në agjencinë amerikane që mbikëqyr rregullat e konfliktit të interesit.
Ai tha gjithashtu se shumë nga shembujt në analizën e The Journal “shkelin qartë frymën që qëndron pas ligjit, që është ruajtja e besimit të publikut në integritetin e qeverisë”.
Ligji amerikan i ndalon zyrtarët federalë të punojnë për çdo çështje që mund të ndikojë në financat e tyre personale.
Akti i Etikës në Qeverinë e vitit 1978 kërkon që punonjësit e lartë federalë mbi një nivel të caktuar pagash të paraqesin deklarime financiare vjetore duke renditur të ardhurat, pasuritë dhe huatë e tyre. Shifrat financiare raportohen në intervale të gjera në dollarë.
Disa zyrtarë federalë, veçanërisht ata në nivelet më të larta, shesin të gjitha aksionet e tyre individuale kur hyjnë në qeveri për të shmangur shfaqjen e një konflikti interesi.
Zyra e Etikës Qeveritare, e cila mbikëqyr rregullat e konfliktit të interesit në të gjithë degët ekzekutive, është “e përkushtuar ndaj transparencës dhe mbikëqyrjes qytetare të qeverisë”, tha një zëdhënëse.
Ajo shtoi gjithashtu se agjencia publikon deklarimet financiare të zyrtarëve më të lartë në faqen e saj të internetit, së bashku me udhëzimet për marrjen e informacioneve nga agjencitë e tjera.
Por deri tani asgjë nga këto nuk i ka ndaluar zyrtarët amerikanë të përfshihen në një nga lojërat më të bukura – atë të basteve në tregun e bursës – pavarësisht konfliktit të tyre të pastër të interesit.
Vitin e ardhshëm do të shihet nëse projektligji i mbështetur nga Nancy Pelosi do të marri sadopak zë në Kongresin Amerikan.
/a.r