Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot gjatë ceremonisë së mbjelljes së 13 pemëve me rastin e 13-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, bashkë me ambasadorin e Republikës së Kosovës Florian Qehaja, ka komentuar ngjarjet e djeshme në mbledhjen e partisë ku ngeli i revoltuar kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi.
“Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi shumë është i kujdesshëm në këtë aspekt, ai nuk vjen as në mbledhjet e kryesisë edhe pse është i ftuar se është anëtar sepse thotë derisa jam kryetar parlamenti dhe unë nuk dua të jem në strukturat partiake. Dhe e keni parë dje se nuk ishte në rendin e parë por deshi të tregojë respekt për postin si kryetar Parlamenti, kërkesa e tij për nënkryetar nga vendi që vjen ishte e drejtë dhe meriton respekt siç thashë secili prej nesh vjen nga një vend i vogël dhe duhet t’i përfaqësojmë të gjithë”, deklaroi Bujar Osmani.
Mbrëmjen e të shtunës, në mbledhjen e Kryesisë së BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi kërkoi që të ketë edhe një nënkryetar nga Gostivari gjë që u refuzua nga Musa Xhaferi, dhe braktisi mbledhjen.
/a.r