Pas hapjes zyrtare të negociatave me Bashkimin Evropian në korrik të këtij viti, Shqipëria ka nisur me fazën e negocimit të kapitujve. Sot në Bruksel u mbajtën takimet shpjeguese për kapitullin 9, “Shërbimet financiare”, ku Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është institucioni lider. Autoriteti u përfaqësua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Ervin Mete, në cilësinë e negociatorit të kapitullit 9, ku përfshihen si institucione kontribuese edhe Banka e Shqipërisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe Instituti i Statistikave.
Gjatë takimeve me ekspertët e Komisionit Evropian u theksua se është thelbësore përgatitja për procesin e negocimit të kapitujve dhe përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit shqiptar me acquis të BE.
Më tej, ekspertët e Komisionit Evropian bënë një prezantim të direktivave dhe kërkesave që duhet të plotësojë Shqipëria sa i përket kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”. Prezantimet e ekpertëve evropianë u përqendruan te Rregulloret dhe Direktivat Evropiane për bankat dhe konglomeratet financiare, infrastrukturën e tregjeve financiare, tregjet e kapitalit dhe shërbimet e investimeve, sigurimet dhe financat e qëndrueshme.
Acquis në kapitullin 9 rregullon shërbimet financiare në fushën bankare, atë të sigurimeve, pensioneve vullnetare, shërbimeve të investimeve dhe tregjeve të titujve, ku Autoriteti mbikëqyr pjesën më të madhe të këtyre tregjeve, ndërkohë që Banka e Shqipërisë mbikëqyr sektorin bankar.
Përgjatë viteve të fundit është ndryshuar një pjesë e konsiderueshme e ligjeve për tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, duke i përafruar me Direktivat dhe kuadrin ligjor evropian. Në vitin 2020 u miratuan ligjet e reja për tregjet e kapitalit, sipërmarrjet e investimeve kolektive, si edhe për tregjet financiare të bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë. Ndërsa në vitin 2021 u miratua ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Projektligji i ri për fondet e pensioneve private është në pritje të miratimit nga Këshilli i Ministrave.
Avancimi ligjor dhe rregullator i ndërmarrë nga Autoriteti u nënvizua edhe në Raportin e fundit të Progresit, të Komisionit Europian, publikuar në vitin 2021. Në gjetjet e Kapitullit 9-të “Shërbimet Financiare”, raporti thekson se “është bërë progres në lidhje me rekomandimet e vitit të kaluar përmes miratimit të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”./m.j