Finalizohet operacioni policor i koduar “Bulevardi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa në pranga ka rënë një 38-vjeçar.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi Albert Prendi, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Qarkullonte me armë zjarri në automjet, vihet në pranga 38-vjeçari. Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra dhe municion luftarak. Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në bulevardin “Migjeni”, një shtetas po qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: A. P., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjatë kontrollit në automjetin që po drejtonte ky shtetas, në bulevardin “Migjeni”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/e.d