E nesërmja do të jetë një ditë e rëndësishme për të gjithë kontinentin e Evropës, do të lançohet projekti ambicion i Komunitetit Politik Evropian, që synon rritjen e bashkëpunimit dhe afrimin e vende të kontinentit në sfidat dhe ndihmë reciproke. Në takimin që do të zhvillohet në Pragë të Çekisë janë të ftuar 44 vende.
Shqiptarja.com ka siguruar axhendën e takimit, ku vihet re se 4 do të jenë sesionet e rëndësishme të aktivitetit: lançimi i projektit, tryeza e rrumbullakët, takimet bilaterale dhe përfundimet.
Interesant është fakti se në sesionin më të rëndësishëm të samitit, në atë të lançimit të këtij projekti kaq ambicioz do të ketë vetëm 5 fjalë përshëndetëse, dhe një prej tyre është përfaqësuesi i Shqipërisë Edi Rama. Mes folësve sigurisht është kryeministri i vendit pritës, ai i Republikës Çeke, Petr Fiala, deklaratë e Presidentit të Ukrainës Zelensky, Kryeministri i Norvegjisë Gahr Støre, dhe në fund fjala e Kryeministrit Truss (Mbretëria e Bashkuar). Shqiptarja.com mëson se për përcaktimin e vetëm 5 folësve ka pasur debate të vogla mes organizatorëve, por përfundimisht është vendosur që Kryeministri Rama dhe 4 liderët e tjerë të jenë të vetmit që do të kenë të drejtën e fjalës në sesionin e parë të hapjes. Kujtojmë se Kryeministri Rama ka qenë një ndër promotorët më të mëdhenj të një nisme që do të nënkuptonte më shumë akses të vendeve të Ballkanit Perëndimor në projektet e Bashkimit Evropian, sidomos në drejtim të përballimit të sfidave.
Paqja dhe Siguria, Energjia, klima dhe situata ekonomike do të jenë pjesë e takimit të nesërm të Komunitetit Politik Evropian. Tryeza nis punimet në 13:00 dhe mbyllet me konferencën për mediat pas orës 19:30. Pjesëmarrëse do të jenë vendet e Bashkimit Europian, vendet aspirante për në BE, Ballkani Perëndimor dhe aleatë të BE. Përveç Shqipërisë, pjesë e takimit do të jetë edhe Kosova, Britania e Madhe dhe Ukraina. Ndërsa gjatë këtij takimi do të ketë takime bilaterale mes krerëve të vendeve të caktuara, sipas vullnetit të palëve.
Komuniteti Politik Europian është një nismë e propozuar fillimisht nga Presidenti francez Emmanuel Macron. Rama tha se dje se kjo nismë, e cila deri pak vite më parë do ishte totalisht e paimagjinueshme, është e Holandës dhe e Shqipërisë, për të angazhuar bashkësinë europiane në një drejtim ku synohet një konkretizim sa më real të vizionit dhe projektit të ri të komunitetit të ri politik evropian.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ky proces do të kërkojë kohën e vet, por për ne është e rëndësishme të shtyjmë në këtë drejtim. Nuk ka asnjë diskutim që dimensioni akademik dhe arsimor i integrimit të plotë në BE nuk duhet të presë anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit në BE, por duhet t’i paraprijë këtij anëtarësimi”.
Pjesëmarrësit e ftuar të marrin pjesë në këtë takim të parë të Komunitetit Politik Evropian:
27 shtetet anëtare të BE-së
Shqipëria
Armenia
Azerbajxhani
Bosnje Hercegovina
Gjeorgjia
Islanda
Kosova
Lihtenshtajni
Moldavia
Mali i Zi
Maqedonia e Veriut
Norvegjia
Serbisë
Zvicra
Turqia
Ukraina
Mbretëria e Bashkuar
Presidenti i Komisionit Evropian
Presidenti i Këshillit Evropian
Çfarë pritet të ndodhë?
Liderët e të gjitha shteteve evropiane, përveç Bjellorusisë dhe Rusisë (po ashtu edhe të shteteve të vogla evropiane) do të takohen në Kështjellën e Pragës më 6 tetor për të diskutuar për çështjet që lidhen me situatën e sigurisë në kontinent, teksa lufta në Ukrainë po vazhdon. Ky takim, po ashtu, është për të lansuar Bashkësinë Politike Evropiane – një ide që fillimisht është promovuar në muajin maj nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Një ditë më pas, më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të Bashkimit Evropian që gjithashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës. Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.
/e.d