Hetimet e deritanishme për vrasjet e dy ditëve më parë në Elbasan janë të fokusuar në pistën e hakmarrjes, por nuk përjashtohet mundësia që atentatet të jenë kryer edhe për trafiqe droge.
Deri tani, sipas hetimeve dyshohet se vrasësit kanë qenë profesionistë, kjo pas këqyrjes së kamerave të sigurisë pranë lokalit ku u ekzekutuan 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë. Problematike ka qenë fakti se për shkak të errësirës dhe kamuflimit të atentatorëve është bërë mjaft i vështirë identifikimi i autorëve.
Policia dyshon se makina është angleze, pasi sipas pamjeve rezulton se timoni i saj ndodhet në krahun e djathtë. Dyshimet për tipin e makinës janë se ajo mund te jete nje fuoristrade e tipit BMW X5.
Sakaq, sipas pamjeve të siguruara nga grupi hetimor kanë qenë dy persona, të cilët kanë dalë nga automjteti dhe kanë qëlluar rreth 65 fishekë në drejtim të lokalit. Më pas të dy janë kthyer në makinë dhe janë larguar nga vendi ngjarjes.
Pas ngjarjes dhe publikimit të saj, familja Mema, e cila prej vitesh kishte konflikte me familjen Çapja, ka marrë në telefon policinë duke u kërkuar atyre mbrojtje pas frikës se dyshimet e menjëhershme dhe ndonjë konflikt tjetër i mundshëm mund të binte tek ata. Më vonë, familja Mema përmes një deklarate ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet e 2 shkurtit në lagjen Krasta, pranë stadiumit Elbasan Arena.
Në lokalin në pronësi të Agron Çapjes, vëllait të biznesmenit të vrarë në vitin 2005, ishin 4 anëtarë të familjes së tij. Vetë pronari mbeti i vdekur, bashkë me dy miq të familjes, ndërsa vëllai dhe dy nipërit e Sokol Çapjes, u plagosën.