Kombëtarja shqiptare do të luajë një miqësore me Gjermaninë para Euro 2016.
Kjo deklaratë e bujshme është dhënë nga trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, i cili gjatë një interviste për “Nuova Venezia” ka pohuar se “do të shkojmë për përgatitje në Austri, do të luajmë një miqësore me Gjermaninë, test i vërtetë. Në europian nuk është vetëm skuadra, por një popull i tërë”.
Ky lajm del nga goja e trajnerit të Kombëtares shqiptare dhe publikohet në mediat italiane, ndërkohë që nga Federata Shqiptare e Futbollit askush nuk thotë asgjë për këtë miqësore luksi. Por, pak kohë më parë, mediat turke publikuan një deklaratë të trajnerit Fatih Terim, ku lajmëronte se për shkak të përfitimeve të mëdha nga të drejtat televizive, kombëtaret e Gjermanisë, Italisë, Francës, Anglisë, Holandës dhe Spanjës kanë vendosur të zhvillojnë vetëm me njëra-tjetrën ndeshje miqësore.
Gjithsesi, nëse fjala e De Biasit do të dalë e vërtetë, atëherë do të jetë hera e parë, që Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë një ndeshje miqësore me gjigantët e Europës, pasi përballjet e mëparshme kundër tyre kanë qenë të vlefshme për kualifikueset e europianëve ose të botërorëve.
Më 2006, Shqipëria pati shansin të luante me Gjermaninë para finaleve të botërorit, rregulluar nga trajneri i atëhershëm, Hans Peter Briegel. Gjermanët ishin dakord, por FSHF i mbajti zvarrë, pasi ende nuk kishte vendosur të rinovonte me Briegelin, të cilin nuk e donte më, dhe u kërkoi të prisnin (!) deri sa të firmosnin me trajnerin e ri. Sigurisht që Gjermania nuk mund të priste Shqipërinë dhe miqësorja nuk u realizua e në vend të saj kuqezinjtë luajtën në Austri me Poloninë.
Ndërkaq, në sitin e federatës gjermane janë renditur miqësoret nga marsi deri në qershor, por Shqipëria nuk figuron.