16 deputetë të opozitës të rreshtuar në kampin pro Berishës, kanë depozituar në Parlament një projektligj që synon ribërjen e Lustracionit duke pretenduar pastrimin e politikës dhe të sistemit të drejtësisë nga ish zyrtarët e lartë dhe ish-spiunët e komunizmit, sot, pas 30 vitesh demokraci.
Nisma është një kundërpërgjigje ndaj socialistëve, që po synojnë të zhvlerësojnë dy komisionet e pastërtisë së figurës, “Bezhani” dhe “Mezini”, të kontrolluara si nga PS, ashtu edhe nga PD gjatë qeverisjes së tyre.
Socialistët kanë paraqitur dy nisma, por ajo më kryesorja është heqja e “certifikatës së pastërtisë” së Ilir Metës nga dy komisionet.
Gjithçka nisi pasi Autoriteti i Dosjeve nxori në skenë se shtetasi me inicialet I.M figuron bashkëpunëtor i Sigurimit, që sipas institucionit korrespondon me ish-presidentin Meta..
Në një deklaratë më të fundit të këtij Autoriteti janë 78 ish-bashkëpunëtorë të sigurimit që ende vijojnë detyrën në postet shtetërore.
Pas hapit të socialistëve, demokratët e të dyja kampeve ndërmorën nismën për të ngritur ata flamurin e luftës kundër komunizmit dhe ndëshkimit të bashkëpunëtorëve ish-sigurimit të shtetit.
Nisma e PD
Në mesin e 16 firmëtarëve të deputetëve demokratë që kërkojnë lustracionin është edhe Sali Berisha. Një projektligj i plotë që synon që kontrolli i figurës së zyrtarëve të zgjasë në një afat pesëvjeçar deri në 2027-ën.
Por drafti i PD-së ka disa kleçka. Lustracion të ri i zhvlerëson indirekt certifikatat aktuale që kanë deputetët të fituara nga dy komisionet “Bezhani” dhe “Mezini”. Kjo duket se prek Ilir Metën që mbrohet ndaj akuzave të socialistëve se e ka kaluar filtrin e pastërtisë. Po i shkon për shtat socialistëve.
Grupimi Berisha, sipas draftit kërkon njëherësh që verifikimi dhe kontrolli të bëhet po ky nga Autoritet që akuzon Metën si bashkëpunëtor të ish-sigurimit.
“Kleçka” tjetër lidhet kriteret e ndëshkimit që nis me personat që kanë qenë anëtar apo kandidat të Byrosë Politike, duke përjashtuar nivelet e tjera të personave që kanë pasur tesera partie apo poste në nivelet më ulëta gjatë regjimit komunist. P.sh Berisha dihet që ka qenë sekretar i Komitetit të Partisë së punës në Fakultetin e Mjekësisë së Tiranës, por me nismën aktuale nuk ndëshkohet.
Drafti grupit të deputetëve pro Berishës për t’u miratuar kërkon një shumicë të cilësuar të votave, me 3/5 dhe për këtë konsensusi me socialistët duket se është i largët. Pjesa tjetër e deputetëve kundër Berishës apo të mbledhur rreth Alibeajt anon drejt draftit të mazhorancës. Por edhe në këtë rast më i penalizuari duket se do të jetë ish-bashkëpunëtori i Sigurimit me inicialet I.M./Si