Vrasja e të mërkurës në Elbasan, ku mbetën të ekzekutuar 3 persona dhe 8 të tjerë u plagosen, dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje.
Grupi hetimor, i ngritur për masakrën në kryqëzimin e Krastës bri autostradës Elbasan-Librazhd, është ngritur pranë prokurorisë së Elbasanit.
Burimet thonë se hetimet janë përqendruar në pistën e hakmarrjes, mes pjesëtarëve të familjes Çapja me ato të familjes Mema, Shema dhe Meta. Pasi tre djem të këtyre familjeve dyshohet se janë vrarë nga pjesëtar të familjes Çapja në shenjë hakmarrje. Kjo për hetuesit është edhe pista kryesore për të cilat po punohet për zbardhjen dhe identifikuar autorët e atentatit.
Burimet thonë se nëse provohet me dyshime të arsyeshme, se masakra në Elbasan ka ndodhur për hakmarrje dosja do t’i kaloje për vazhdim hetimesh Prokurorisë për Krime të Rënda. Sipas policisë, pavarësisht përqendrimit të hetimeve në pistën e hakmarrjes, nuk përjashtohen dyshimet për vrasjen të ndodhur për trafiqe të ndryshme, mes tyre edhe ajo e drogës.
Pasi një nga viktimat e këtij atentati është edhe Eno Bedalli, i arrestuar në vitin 2013 në Itali për trafik të kokainës nga Holanda me vlerë rreth 10 mln euro. Hetuesit thonë se nuk përjashtohet edhe pista e hetimit për ndonjë konflikt të mundshëm mes personave të shumtë që ndodheshin në lokal në momentin e sulmit dhe autorëve të këtij atentati që ende nuk janë identifikuar.
Për këtë ngjarje policia ka shoqëruar rreth 50 persona, të cilët kanë dhënë versionin e tyre për ngjarjen apo edhe për vendndodhjen e tyre në momentin e atentatit.
Forcat e shumta të policisë, kanë bliduar Elbasanin, duke ushtruar kontroll në banesa të ndryshme, garazhde makinash apo edhe në pikat e kontrolllit të ngritura në rrugët kryesore që hyjnë dhe dalin nga qyteti i Elbasanit.
Në atentatin e mbrëmjes së mërkurë, kanë mbetur të vrarë Agron Çapja, Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, ndërsa kanë mbetur të plagosur 8 të tjerë, duke mos përjashtuar edhe ndonjë lëndim të lehtë të personave që ndodheshin në local në momentin e atentatit.