Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar këtë të premten në detyrë prokurorin e Tiranës, Arian Përmeti.
Përmeti deklaroi në seancë se pasuritë që ai zotëron rrjedhin nga burime të ligjshme, konkretisht nga trashëgimia ligjore e prindërve të tij të ndjerë, si trashëgimtarë të një pjese të pronave të familjeve Përmeti dhe Kosova, të rikthyera ose të kompesuara me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave.
Në fillim të seancës u relatua se bazuar në një informacion të publikuar në një media, ishte riçelur hetimi administrativ për prokurorin Përmeti. Subjekti theksoi se nuk e kishte hetur çështjen për të cilën shkruhej në artikull.
Procesi i rivlerësimit për prokurorin Arian Përmeti u kry nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Arian Përmeti e ka filluar punën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2003. Prej vitit 2013, ai ushtron funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
/f.s