Në kuadër të hulumtimeve të kryera nga Prof. Halil Ibrahimi nga Departamenti i Biologjisë së Universitetit të Prishtinës, është gjetur një lloj i ri insekti për shkencën nga Parku Kombëtar Mali Sharr. Ky insekt për momentin është i njohur vetëm nga Kosova dhe është lloj endemik i Bjeshkëve të Sharrit. Është gjetur në disa përroska malore, degë të lumenjve Lumbardhi i Prizrenit dhe Lepenc, përreth zonës së Brezovicës, Prevallës si dhe territorit në të cilin planifikohet ndërtimi i kompleksit turistik Brezovica II. Lloji i ri i insektit quhet Drusus sharrensis dhe e ka marrë emrin nga Mali Sharr, transmeton koha.net. Këto bjeshkë përndryshe janë shumë të pasura me lloje të rralla bimore dhe shtazore dhe njihen si qendër e biodiversitetit të Ballkanit.