Hetimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore nuk ka zbuluar efektivë të dyshuar për dekonspirim në operacionin “Plumbi i artë” ku 13 persona nuk u arrit të arrestoheshin, mes tyre edhe i shumëkërkuari Ervis Martinaj.
Në këtë përfundim ka arritur Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila përmes një kërkesë për informim bën me dije Euronews Albanian se ka kryer një inspektim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
“Nga verifikimet e deritanishme të kryera në këtë fazë të inspektimit të zhvilluar për këtë qëllim, rezulton se nuk ka dyshime të arsyeshme për punonjës policie që janë të implikuar në një dekonspirim të mundshëm të operacionit ‘Golden Bullet’”, përgjigjet AMP.
Shumica e personave të ndaluar ishin në burgje për vepra të tjera penale, ndërsa krahas Ervis Martinajt u dështua të ndaloheshin edhe emra të tjerë të njohur si Suel Çela e Kamer Mehja apo avokati Alban Bengasi. Në një intervistë për një media franceze pak javë para se të shkarkohej nga detyra, ish-kryepolici Gledis Nano foli për një dekonspirim të këtij operacioni./m.j