Nga Plator Nesturi
Opozita Po përballet me dy çështje: akuza se PD u financua nga fonde ruse në vitin 2017 për lobim në SHBA dhe tre denoncime në SPAK kunder Ilir Metës. Përse këto çështje shfaqen në këtë kohë?
Ndryshe nga parashikimet e shumëkujt, pra që opozita do të ish kryefjalë e klimës së nxehtë politike në sajë të protestave që kish paralajmëruar për në shtator, skema është kthyer kokëposhtë. Ajo për çka opozita e mbajti fjalën është se sërish përbën lajmin kryesor dhe mbetet në qendër të analizave politike. Jo për protestat, por për shkarjet e kryera ndër vite të drejtuesve të saj dhe që po i kthehet në boomerang. Dhe me çështjet e reja të hapura tashmë kompletohet një trekëndësh që prej shumëkujt dihej se ishin pengesë për shndërrimin dhe evoluimin e opozitës në një forcë moderne politike dhe konkuruese. Një trekëndësh që përfshin të gjitha personazhet kryesore që e kanë drejtuar dhe drejtojnë akoma partitë e minorancës, nga ku gjithçka shformohet dhe vihet në funksion të vullnetit dhe interesave të tyre. Nëse perifrazojmë një thënie të dikurshme të Bashës për trekëndëshin e Bermudeve, kulmet e të cilit sipas tij ishin Berisha, Meta dhe Rama, duket se me të drejtë, pas zhvillimeve të fundit, ish kryetari i PD-së e ka merituar plotësisht të shënjohet si një nga kulmet e këtij trekëndëshi, së bashku me mentorin e vet Berisha dhe ish aleatin Meta, si bllokues të transformimeve imediate që duhet të kalojë opozita nëse vërtet do të shndërrohet në një forcë konkurruese. Ndryshe nga orakujt e përhershëm që deklarojnë se akuzat e dala për personazhet kryesorë të PD-së apo PL-së, se këto janë sulme ndaj opozitës, mendoj se në fakt këto janë një ndihmë madje e vonuar për të. Mos harrojmë që këta personazhe kanë dhe një luftë të hapur ndaj njëri tjetrit për primat politik, çka i ka dhënë dimension më të thellë krizës që brendshme që mbizotëron prej vitesh dhe që u bë e dukshme vetëm vitin e kaluar. Ndaj në një kohë kur dikush shpallet non grata, dikush akuzohet për fonde ruse, dikush për pastrim parash, dhe nesër nuk dihet më tej çfarë do të dalë, ky është një tregues se askush prej këtyre personazheve në emrat e të cilëve po bëhet shqyerja në disa pjesë e opozitës, nuk e meriton askush të jetë alternativë e besueshme. Askush prej tyre nuk mund të përfaqësojë të ardhmen e opozitarizmit por përkundrazi, mbeten e shkuara e saj. Askush nuk mund të jetë alternativë kur në fakt janë pengesë për frymëmarrje të re dhe fytyrë të ndryshme të opozitarizmit. Të tre bashkë, gjithsecili në qoshen e vet, janë diga që po pengon rrjedhën e natyrshme të evoluimit dhe i shërbejnë stanjacionit. Nëse kjo nuk kuptohet dhe opozita vijon të humbasë kohë në një betejë të brendshme që i shërben veç evidentimit të këtyre personazheve dhe si mburojë e axhendave të tyre personale , situata veç do agravohet. Ndaj PD-së apo PL-së, më tepër sesa flamujt me emblemat e Berishës, Bashës apo Metës, i duhet të mbajë veç flamurin e opozitarizmit.
Ndryshe nga herët e kaluara në epiqendër të këtij skandali është Lulzim Basha i cili ishte kryetar në kohën kur është bërë lobimi i dyshimtë dhe duket se ai që po përfton momentalisht politikisht është Sali Berisha që gati po i vendos akuzën zyrtare Bashës, në një lloj paradoksi se vetë Berisha i beson SHBA-ve në këtë rast. A po shfrytëzohet kjo situatë nga Berisha për të menjanuar përfundimisht Bashën dhe mbështetësit e tij në grupin Parlamentar?
Fakti që për çdo akuzë ndaj figurave të caktuara, qëndrimet brenda llojit janë më të egra sesa nga kundërshtarët e kahur tjetër, tregon se sa pa principe zhvillohet beteja në gjirin e opozitës. Akuza për lobim me fonde ruse po i shërben Berishës që të paktën të vihet në një nivel me Bashën, ndërssa vetë ka njollën e Non Grata. Për më tej, i shërben për ti dhënë krahë arësyetimit se ka bërë mirë që e ka çmontuar nga froni i kryetarit nëpërmjet Foltores pse ai e bëri hasha nga parlamenti në shtatorin e kaluar. Kur në fakt Basha duhej të kish ikur për dështimet e tij në zgjedhje, kohë në të cilën Berisha nuk kish hezituar ta mbante me oksigjen e për ta çimentuar në karriken e kryetarit të PD-së. Fakti që njëri ka marrë damkën e antiamerikanit dhe tjetri si prorus, në fakt i ka bërë të dy pis dhe më së shumti dëmton PD-në që po mbahet peng. Pavarësisht se për Bashën besohet se paratë e lobimit nuk ishin ruse, por para të pista shqiptare që u përcollën përmes kanaleve ruse, kjo nuk e lehtëson shumë situatën. Më së paku Basha damkoset për naivitet politik dhe jo në klasin e mentorëve të tij që janë ku e ku më të sofistikuar e të rrahurr me vaj e me uthull në tallazet plot shkulme të politikës shqiptare në 30 vite. Pra, nëse flasim për moral në këtë luftë kampesh Brenda opozitës, nuk është fjala se njëri ka të drejtë dhe tjetri jo. Ky lloj barazimi që vihet e ku të dy janë pis, në vetvete i shërben vijimit të antagonizmit midis dy kampeve të PD-së, por dhe abandonimit gjithnjë e më të madh electoral për të dyja palët së bashku.
Interesante duket edhe situata në Partinë e Lirisë ku Ilir Meta ka të hapura tre dosje në SPAK, nga denoncime që vërshuan në harkun e një muaji. Po ashtu edhe për Berishën indirekt mund të kaloje në SPAK me dy dosje. A mund të thuhet se si Berisha ashtu edhe Meta tashmë po “luftohen me drejtësinë”?
Nëse ju shpreheni se Berisha dhe Meta po “luftohen me anë të drejtësisë”, atëhere konkluzioni i bie që të dyve po u bihet në qaftë dhe se të dy janë të pastër. Por nëse dalin fakte dhe ato do të vërtetohen nga drejtësia a mund të shtrohet edhe një pyetje tjetër? Ajo që Berishën dhe Metën drejtësia “duhet ta kish luftuar prej kohësh” për shkeljet që mund të kenë bërë? Në 32 vita politikë, kemi dëgjuar për shumë afera dhe akuza që dhe palët i kanë bërë njëri tjetrit sa herë janë prishur me njëri tjetrin. Dhe gjithë këto herë shumë akuza janë mbyllur pa nisur. Dhe çuditërisht janë mbyllur nga drejtësia sa herë ka patur marrëveshje të reja midis palëve. Ndaj dhe për akuzat e tanishme është mirë të priten rezultatet e hetimit dhe gjykimi i tyre mbi bazë provash. Të paktën ky lloj besimi është injektuar nga reforma e nisur në drejtësi.
Në këtë situatë Rama ngjan si më komod, duke shpërqëndruar jo pak vëmendje si me largimin e kreut të policisë Nano, që indirekt ia veshi “problemet me kriminalitetin” ashtu edhe me nismën disi populiste të sekuestrimit të shtesave pa leje të pallateve dhe kullave, kryesisht në Tiranë.
Maxhoranca mund të jetë komode me këtë opozitë të dobët që ka përballë, por kjo është më e pakta që i intereson opinionit public. Qytetarit i intereson jo komoditeti i qeverisë, por efektiviteti i qeverisjes së saj dhe progresi i dukshëm. Ka shumë çështje që duan një impenjim më të madh dhe kriza e tanishme që ka ndikuar në gjithë Evropën evdienton se anija e ekonomisë shqiptare nuk lundron në ujëra të qeta, por me valëzim të ethshëm. Kjo është sfida më e madhe. Pra kalimi me sukses në bregun tjetër, dhe jo fakti nëse ndihet komod me opozitën. Për vetë faktin që kjo opozitë është e dobët dhe e papërgatitur si për të marrë besueshmëri por dhe jo e gatshme për të qeverisur, i takon maxhorancës aktuale të bëjë detyrat e saj të qeverisjes dhe përballimit të situatave.
Jo gjithçka do të jetë e lehtë dhe pa pasoja, por ka rëndësi se sa aftësi ke për të maksimalizuar rezultatin dhe sa shpëton qytetarin dhe ekonominë nga pesha e krizës. Kjo është sfida e kësaj maxhorance dhe vlerësimi i saj për çka do të bëjë do të shihet pikërisht tek votëbesimi qytetar në zgjedhje. Nga ana tjetër mendoj se nëse opozita është e paaftë për të trysnuar, maxhorancës komoditetin mund tia prishin hetimet e insitucioneve të drejtësisë për rastet e korrupsionit brenda rradhëve të saj. Shkundja për të larguar çdo gjë të kalbur, mund të shërbejë dhe si adaptim me kohën por dhe si shkak për rritjen e profesionalizmit dhe devotshmërisë në drejtim. Nëse do të jetë kjo qasje dhe jo mbulimi politik, mund të garantohet me të drejtë besueshmëria në elektorat. Dhe jo thjesht si pasojë e dobësisë së opozitës.
Ekonomia shoku po rritet me dy shifrore. Inflacioni sa gjysma mesatare europiane. Eksportet kanë kapur majat që nuk janë kapur kurrë më parë. Po kështu dhe importet mbi mesatare , që tregon se ekonomia nuk është si liman i qetë por lumë që lëviz.
Si politikë ballkanike për tu patur zili nga BE dhe SHBA dhe si turizëm i paparë ndonjë herë. Ndryshimet si nata dje me ditë sot.
Që problem ka qënë dhe është opozita që nxin në gjithshka e që i ka punuar qindin vendit dhe këtij populli nuk është problem i Ramës por i drejtësisë së re. Me Krrajën nuk ka gjasa të lëvizë drejtësia e të bëjë epokë. Të shohim vitin tjetër. Krraja ishte dhe mbeti një këshilltar karriere i Metaj. Pikë.