“Edhe seksin ta kisha ndryshuar nuk do kisha paguar kaq shumë lekë…” Kështu u shpreh Monika Kryemadhi mbrëmjen e kësaj të enjteje në Opinion.
Përgjigja e shkurtër erdhi pasi gazetari Blendi Fevziu e pyeti se çfarë ndërhyrjesh kishte bërë që kishte shpenzuar 287 mijë euro, siç pretendon në kallëzimin e bërë këtë të enjte avokati Idajet Beqiri.
Kallëzimi i dorëzuar në SPAK nga avokati ka në fokus trajtimet estetike që familja e ish-Presidentit, tashmë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kryer në spitale në San Marino dhe Vjenë.
Avokati pretendon se në bazë të disa verifikimeve të kryera, ai ka siguruar të dhëna që tregojnë se Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe fëmijët e tyre kanë kryer ndërhyrje estetike dhe pagesat kanë qenë të larta.
Beqiri ka dorëzuar në SPAK një faturë spitali me vlerë mbi 287 mijë Euro për të cilën thotë se është pagesa për një ndërhyrje të kryer nga Monika Kryemadhi dhe transferta është bërë nga një llogari offshore në Qipro.
/a.r