Nga Plator Nesturi
Rifokusimi i një hetimi të vjetër ndaj ish-kryetarit Basha për përdorim të fondve me origjinë ruse për të lobuar në SHBA për interes të PD-së, hap një plagë të re në trupin e partisë më të madhe të opozitës. E drobitur prej inflamacionit të krizës së brendshme, e shkalafitur në mes dy kampeve ku mjëra palë vuan me sindromin e non Gratta-s, dhe pala tjetër prej dështimeve të pareshtura zgjedhore dhe defiçencës për tu orientuar politikisht drejt në mes të interesave të aleatëve dhe “bujarisë” së fondeve ruse, ky zhvillim i ri dëshmon se kriza dhe handikapi politik i PD-së, do të vijojë gjatë. Informacioni i përcjellë nga komuniteti i inteligjencës në SHBA, ku evidentohen se Rusia ka financuar në mënyrë të fshehtë 300 milion dollarë në 24 vende të ndryshme për parti politike dhe individë si një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda, përmend dhe rastin e Shqipërisë ku Rusia ka dhënë 500 mijë dollarë financim në favor të PD-së. Periudhë kjo që përkon dhe me hapjen e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2017 për të njëjtën shumë për lobim në SHBA përmes kompanive fantazmë. Dhe për këtë u thirr të japë deponimet e tij për këtë çështje dhe ish-kryetari Basha dhe eksponetë të tjerë të lartë të PD-së.
Ndërsa përgjatë vitit të fundit fukusimi mediatik ishte përqëndruar vetëm tek Berisha dhe çështja Non-Grata e tij, si një ndër shkaqet kryesore të vijimit të krizës brenda partisë më të madhe të opozitës, akuza e risjellë sërish që përfshin Bashën në fonde të paligjshme ruse, duket sikur i jep flatra përfaqësuesve të Foltores si një arsyetim më tepër që kundërshtarët ndaj rifronëzimit të Berishës të heqin dorë e të bashkohen tashmë me të. Ky qëndrim dhe kjo ndarje u pa qartë dhe nga deklaratat e bëra nga të dyja kampet e opozitës. Deputetët që përbëjnë grupin parlamentar të Alibeajt e cilësuan si një akuzë të ricikluar e dashakeqe duke mohuar përgjegjësitë e Bashës në këtë aferë për çka anatemohet. Në të kundërt, deputetë pro Berishës dhe një deklaratë zyrtare nga kjo pjesë e selisë, e atakon me artileri të rëndë duke bërë thirrje për rihapjen e hetimeve ndaj Bashës. Pra krejt ndryshe nga koha përpara se Basha të merrte vendimin për ngrirjen e Berishës për shkak të Non Grata nga Departamenti i Shtetit. Harrohet vetëm diçka. Që të dy liderët përkatës janë pis, si përpara opinionit publik ashtu edhe përballë partnerëve strategjikë. Të dy këta personazhe, me emrat e të cilëve lidhet kacafytja e brendshme që po ndodh në PD dhe në opozitë, kanë kaq cene e mëkate të së shkuarës sa që vështirë të cilësosh njërin ëngjëll dhe tjetrin djall.
Akuza e re ndaj Bashës është një arësye më shumë që PD-së nuk i duhet as njëri dhe as tjetri. Përkundrazi, është evidentim i faktit që demokratët të ndahen përfundimisht nga imazhet e rreme e që duan të mbeten strumbullar i përhershëm nga ku vërtitet e rrotullohet pa fund politika e një ish partie të madhe që kështu si po vijon, do të plandoset e drobitur në mes të lëmës. Nëse kjo duhet të shmanget duhet që faktorët e përgjegjshëm të PD-së, të marrin në dorë fatin e shpëtimit të saj e për të mos e lënë peng tek personazhet që nuk kanë çtë japin më dhe që po e përdorin besueshmërinë e anëtarësisë e të mbështetësve si mburojë për të ruajtur privilegjet e sipas interesave të ngushta të tyre. Nëse PD po zhvendoset nga detyrat dhe interesat e saj politikë si përfaqësuese e 600 mijë votuesve vetëm për hir të Berishës që do ta shndërrojë si një bunker personal për të harruar Non-gratën e vet, apo për hir të ruajtjes të rehatisë e papërgjeshmërisë së Bashës, fati i saj politik është i shenjuar për keq.
Në vetvete opozita po humb kohë ndërsa nuk merret thellësisht me problemet e veta por vihet në dispozicion të axhendave të personazheve që po mbajnë peng evoluimin dhe kontributet e reja që mund ta shpëtojnë këtë. Vetë thirrja nën armë e anëtarësisë nëpërmjet retorikës së stinës së protestive është mënyra më hileqare për ta dërrmuar me tej PD-në. I humb kohë të kthjellohet e të ridimensionohet, dhe e drobitur siç është i shërben vetëm liderëve që duan të fokusohen nën projektorët e lavdisë si komandantë turmash. Veçse kështu ajo çfarë është e sigurt është jo rrëzimi në protesta rrugësh e Ramës dhe e maxhorancës. Këtë fakt, që pushteti nuk rrëzohet nga rruga, e di shumë mirë si Berisha dhe aleatët e vet. Çka është e sigurt nga ky strapacim pa vlerë dhe pa ide, do të jetë një disfatë tjetër e rëndë në zgjedhjet lokale. Opozita jo vetëm që është pa strategji e ide të qarta, por vuan dhe nga skenarët bizantinë të rivaliteteve të brendshme. Çka dëshmon se hienat vështirë se i qëndrojnë marrëveshjeve. Rasti i dy ditëve më parë, ku PL nuk arriti të organizojë dot as protestë, as tubim, por thjesht një konferencë të zgjatur mediatike, ishte tregues se Brenda opozitës veprohet me skenarë të ndrsyhem dhe armiku kryesor janë rivalët midis saj sesa vetë maxhoranca. Berisha thjesht i tregoi forcën aleatit të vet Meta, që të mos e përdorë më si të tijën në pronësi “popullin e 2 marsit”. Mjaftonte vetëm Spaho si i deleguar, dhe i pa shoqëruar nga grupe militantësh, për të parë se me kaq Berisha i lau duart me të përsa i përket supremacisë dhe gradave brenda opozitës. Por që në fund të ditës dhe me sa shihet, në fund të zgjedhjeve kësaj PD-je dhe vetë opoztës do t’i mbeten në funksion vetëm gradat. Ushtria do të jetë në drejtim të paditur.