Historia e organizatës së ashtuquajtur “Hakmarrja për drejtësi” është unike, jo vetëm për ecejaket 20-vjeçare në dyert e gjykatave, por edhe për faktin që gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë një çështje, ku asnjëherë nuk u kuptua sa ndikonin provat për krimet që i atribuoheshin dhe sa ndikonte politika.
“Hakmarrja për drejtësi” do të artikulohej për herë të parë si organizatë me prirje terroriste dhe me qëllim për të rrëzuar demokracinë pakvjeçare shqiptare më 12 tetor të vitit 1996, kur policia publikoi një foto të një arsenali armësh, të gjetura në një apartament, që i përkisnin kësaj organziate.
Më pas, bomba e vendosur tek ish-marketi i VEFA-s pranë pallateve 9-katëshe në Tiranë dhe vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve të asaj kohe, Bujar Kaloshi, do të ishin krimet e radhës, për të cilat do të akzuohej “Hakmarrja për drejtësi”.
Gjatë viti 1996, policia e atëhershme identifikoi Orik Shytin, djali i Aredin Shytit, ish-zv.ministër dhe ministër i Brendshëm për periudhën Janar-Korrik 1991, i dënuar për vrasjet e 2 prillit 1991. Më pas u arrestuan Laert Shyti dhe Enkeled Agaj. Sipas hetimeve të asaj kohe, kjo organizatë kishte kryer një sërë krimesh në vitet 1992-1996, madje kishte në plan edhe eliminimin fizik të Presidentit të atëhershëm të vendit, Sali Berisha.
Por, në mars të 1997-s, të arrestaurit u arratisën nga burgjet dhe dozat e forta politike të procesit ndaj tyre i ndihmuan të fiton azilin politik jashtë vendit. Hetimi ndaj “Hakmarrjes për drejtësi” do të rifillonte në vitin 1998, për të përfunduar 10 vite më vonë në vitin 2008, kur Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti të kërkonte dënime për 10 anëtarët e kësaj organizate, të akuzuar për dhjetëra vrasje, grabitje, rrëmbime dhe akte terroriste, kryesisht në vitet 1992-1996.
Altin Arapi, burg përjetë
Orik Shyti, burg përjetë
Kreshnik Spahiu, 24 vite burg
Nikolin Novruzaj, 24 vite burg
Leart Shyti, 24 vite burg
Gëzim Gjoni, 5 vite burg
Pasho Novruzaj, 17 vite burg
Dritan Hate, 23 vite burg
Gentian Caka, 25 vite burg
Roland Shyti, 25 vite burg
Gjykata e Apelit në Tiranë dhe ajo e Lartë do të linin në fuqi këto masa dënimi, duke firmosur në këtë mënyrë fatin e kësaj organziate. Por, i akuzuari si kreu i organizatës, Orik Shyti, edhe pse në arrati, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila në vitin 2011 do të konstatonte shkelje në gjykimin e kësaj organizate, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes.
Pas 20 vitesh, Gjyqësori shqiptar rimerr në duar dosjen me akuzat për disa nga krimet më të rënda që kanë ndodhur në këtë vend çerekshekullin e fundit, por dhe ngarkesën politike prej së cilës ajo nuk zhvishet dot më./ TCH