Kryeministri Edi Rama u ka kthyer një përgjigje të gjithë atyre që e kanë pyetur se “ku ishte shtetit” gjatë kohës që pallati 9 katësh i Julian Morinës u ndërtua në një nga zonat më të populluara në Tiranë, e më konkretisht te Liqeni i Thatë.
Kreu i qeverisë ka pranuar se këtu ka pasur një neglizhencë nga ana e inspektorëve dhe punonjësve të policisë dhe se ky është një fakt i pamohueshëm. Pikërisht për këtë arsye, Rama ka bërë me dije se ka nisur një hetim për këta zyrtarë që kanë “mbyllyr sytë”, përpara kësaj paligjshmërie.
Nga ana tjetër, ai është kundesur të theksojë se gjatë qeverisë së tij ka më pak ndërtime pa leje krahasuar me qeverinë paraardhëse të Berishës e ndërsa është shprehur se ky operacion i shtetit nuk do mbyllet vetëm me këtë aksion, por do vijojë edhe në vijim për ndëshkuar këdo që ka shkelur ligjin.
“KU ISHTE SHTETI KUR U NDËRTUA?
E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh:
E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se deri dje.
E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, po një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit e i ligjit në terren nuk merret kollaj, po me mund e durim të madh.
E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe në një vullnet të papërkulur për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund.
E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe konfiskimet e këtyre hapësirave abuzive për interes publik, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme.
E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë për gjëra që mesa duket do t’i bënin vetë në vendin tim: Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq”, tha Rama.
/e.d