“Filmat e prodhuara nga ish-Kinostudio Shqipëria e Re duhet të ndalohen me ligj si pjesë e propagandës komuniste”, kjo kërkesë është pjesë e nismës së depozituar në Kuvend nga grupi i demokratëve që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, në kuadër të dekomunistizimit.
PD kërkon ndalimin me ligj të filmave, këngëve dhe simboleve të tjera të diktaturës komuniste, si pjesë e dekomunistizimit. Një pikë e rëndësishme e draftit të propozuar nga PD, është edhe kërkesa për transformimin apo prishjen e lapidarëve të ndërtuara në periudhën e komunizmit. Ja çfarë thuhet në këtë pikë në draft:
“Në rastin, kur këto simbole janë të trupëzuara me sende të paluajtshme, atëherë institucioni përgjegjës për administrimin e sendit të paluajtshëm, brenda 3 muajve nga konstatimi, merr masat e duhura për eliminimin e tyre ose nëse është rasti për transformimin fizik në atë masë që simboli i transformuar të mos shërbejë për qëllime të propagandës së regjimit totalit komunist”, thuhet në draft.
Por cilët lapidarë kërkon PD të prishen apo trabsformohen?
Lapidarët, ashtu si bunkerët, dominojnë peizazhin shqiptar. Fotografin e njohur anglez, Robert Hackman, e kanë intriguar së tepërmi këto objekte gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ndaj i ka përmbledhur në një album unik.
E ndërsa në Shqipëri opozita kërkon t’i shembë, e kundërta ndodh me të huajt, të cilët i cilësojnë objekte të një rëndësie të veçantë.
Shumica e lapidarëve të ndërtuar me beton, si shenjë nderimi për heronjtë, ashtu si dhe statujat e bustet e ngritura për ta, u lanë pas dore prej 25 vjetësh, që nga rënia e komunizmit në Shqipëri në vitin 1991. Hackman i ka fotografuar në çdo cep të Shqipërisë.
“Secili secili lapidar ka një histori dhe një arsye për ekzistencën e tij, por vura re se sa më shumë i fotografoja, edhe tek lapidarët shihja më shumë ngjashmëri”, thotë Hackman.
“Këto monumente mirënjohjeje dhe kujtimi janë mes nesh dhe jetojnë mes njerëzve. I gjen anash rrugëve, mes godinave, në oborre dhe tek zbukurojnë rrugë fshati. Të vdekurit jetojnë mes të gjallëve. Për të na kujtuar të gjithëve se liritë që gëzojmë, erdhën me një çmim shumë të lartë. Ka një çmim, gjithë jetët e reja të pajetuara apo familjet që u copëtua vuajtjet e jashtëzakonshme”, thuhet në librin e Robert Hackman “Lapidarët e Shqipërisë”./m.j