Nga Aranit Muraçi
“A Strange Country”, i Muriel Barbery, flet për “një vend të çuditshëm”. Është një roman i jashtëzakonshëm aventuresk dhe filozofik, i cili i dedikohet imagjinatës, delirit dhe fantazisë njerëzore. Autori pati goxha sukses me romanin e tij, teksa flet për një vend të çuditshëm, por me siguri do t’i ketë ‘kënduar’ imagjinatës sepse mund të mos e ketë vizituar kurrë një vend tjetër, aty ku:
Profesorët ose flasin për të gjitha, përveç problemeve që has arsimi dhe edukimi i shoqërisë, ose heshtin më shumë se të tjerët për të gjitha!
Ekonomistët e ndjekin me vëmendje paranë dhe interesin politik, por nuk shpjegojnë dot si duhet ekonominë dhe nuk ndjekin interesin publik!
Mjekët flasin për ekonominë, pacientët për shëndetësinë!
Juristët besojnë se zgjidhin gjithçka në kohë, përveç të drejtës!
Buxheti i shtetit paguan me mijëra ekspertë dhe specialistë, veçse jo punëtorë, por ku i duhet vërtet ekspertizë, e blen atë nga jashtë!
Diplomatët dhe ambasadorët kur flasin, flasin shumë aq sa nxjerrin zbuluar bindjet e tyre politike!
Artistët flasin për rrjetet sociale dhe teknologjinë, inxhinierët për artin dhe Gjermaninë!
Shkrimtarët dhe poetët flasin për Kadarenë, ky i fundit hesht, ngaqë ka folur dikur me vepra!
Emigrantët flasin dhe vajtojnë për mëmëdheun, të gjithë të tjerët që se kanë provuar flasin për emigrimin!
Kriminelët ‘në emër të ligjit’ bëjnë ligjin sa herë duan, ata që paguhen për të garantuar ligjin vëzhgojnë dhe qortojnë cilindo tjetër që nuk e shkel atë!
Karriera është diçka që mund të ndërtohet me gjithçka tjetër përveç punës dhe talentit. Të gjithë flasin mbi karrierën, askush nuk flet për rezultate!
Kur punët nuk shkojnë mirë ose keq e më keq përgjegjësia është fjala më pak e përdorur nga tëra fjalët e tjera që përmban fjalori i Gjuhës Shqipe! Kur përdoret, keqpërdoret për çështje pa lidhje me të!
Sa më i madh të jetë dështimi, po aq i madh mund të jetë suksesi dhe promovimi!
Gazetarët, një profesion i çuditshëm, bëhen ekspertë në të gjitha fushat ku heshtin ekspertët!
Fermerët dhe blegtorët punojnë më shumë nga të gjithë, fitojnë më pak dhe flasin pak nga të gjitha!
Aty ku dekorohen ata që qeshin me seriozitetin dhe tallen me punën, ku injoranca shitet për dije, ku edhe për të drejtën që të takon po nuk dhe ryshfet nuk ka lezet, ku trafiqet dhe falsifikimet interpretohen si shkathtësi, ndershmëria si marrëzi, pikërisht aty, në një cep të Europës Juglindore ndodhet një vend i vogël që për çudi nuk përmendet në romanin “A Strange Country”!