Nga Enkel Demi/
Nuk di të ketë ndonjë parti shqiptare në të cilën kryetari ka humbur në një votim të brendshëm. Në të vetmen herë, kur pati shpresë, ishte gara mes Fatos Nanos dhe Pandi Majkos, i cili në at’botë mbështetej nga Ilir Meta. Por, ishte thjesht iluzion që u tret në hijen e kulisave, ndaj u rizgjodh Fatos Nano njeriu i “katharsisit”.
Edi Rama besoj kaq e di dhe nuk mendoj se ka hallin e fitores apo humbjes së një gare. Është mëse i sigurtë që socialistët, ashtu si gjithë militantët e shqiptarisë, e kanë udhëheqësin bajraktar. Nuk e lëvizin, veç larg qoftë ai ikën vetë ose na lë.
Por, Rama dëshiron të japë një mesazh force, arrogance, si punë i forti, laci, si gjithë parardhësit e tij, pavarësisht partisë që drejtonin. Ai thjesht ka dëshirë t’i shkelë me këmbë ata që i dalin rrugës. Dëshiron t’i shtypë, të tregojë muskujt. Është tundimi i të plotfuqishmit që nuk e zotëron dot forcën e vet, ndaj shkërmoq të dobëtin. Është preludi i meskinitetit që të fal pushteti.
Kështu që Blushi sado që të bëjë gam-gam nuk ka si t’i shpëtojë këtij tokmaku; madje kjo deri diku mund të kthehet zbavitëse, të bëhet tërkuzë si puna e lodrave të seksit. Shfaqja e deputetit që shkoi në “Make up” në Top Channel mund ta zgjasë edhe më kënaqësinë, mund ta kthejë edhe më gazmore, më nanuritëse. Shtypi e bën edhe më pikante këtë lojë. Redaksitë zgjedhin të bëhen me Ramën kundër Blushit, me Blushin kundër Ramës.
Por, ka një njeri që nuk ka si qëndron pa futur shkopinj në rrota: është Ilir Meta, është rasti i tij. Ai bëri shpalljen që në pranverë se LSI do të bëjë zgjedhje në bazë të parimit “Një anëtar, një votë”, ku do të zgjidhet kryetari dhe janë të mirëpritur kandidatët e tjerë, siç ndodhi dikur me Luan Ramën.
Brenda së majtës ka dy shembuj: një alla Toni Bler dhe një alla Ilir Meta. Kush është varianti më demokratik? Ja dhe një pyetje retorike, duke patur parasysh që në Shqipëri Toni Bler ka të njëjtin popullaritet si Ilir Beqja i Urgjencës.
Në gjithë këtë histori me pushtet, shtypje, forcë, shkëmoqje, nuk ka trima. E vetmja trime ishte grua dhe ajo quhet Mimoza Hafizi. Shkencëtarja peshoi rrezikun dhe moralin. Zgjodhi moralin. Ka vënë në bast një mandat deputeti duke u bërë me humbësin, i cili të lë gjithmonë në mes të rrugës; dhe për këtë ka dhënë disa prova shkencore që ne i quajmë Harasani, Bello, Islami, Malaj.
Por, besoj se Hafizi nuk ka bërë profilin e Ben Blushit, por moralin e sfidës ndaj pushtetit absolut. Nëse Davidi sot e ka emrin Ben, ajo me Davidin është.