Dafina Zeqiri ka publikuar në TikTok një video ku shfaqet e përlotur dhe e prekur nga ngjarja e fundit në Prishtinë ku një 11-vjeçare u dhunua seksualisht nga disa burra. Ajo shprehet e frustruar me komentuesit që u japin të drejtë abuzuesve duke i justifikuar me mënyrën si vishen apo kërcejnë vajzat.
“Ju lutem të gjithëve ju që jeni duke paragjykuar, as nuk e kisha menduar se do e regjistroja veten në këtë gjendje. Por po emocionohem, po bëhem nervoze, se këto janë çështje shumë serioze dhe kur i shoh disa komente absurde bëhem shumë nervoze…”-thotë ajo në video duke e mbyllur me kaq për arsye se nuk mund të vazhdonte më tej prej emocioneve.
Ndërkohë krah videos ka shkruar: “Unë po vuaj të them edhe fjalët që dua të them, sa e nervozuar, e trishtuar jam! Ndaloni këto dreq “Shiko si po visheni? Po nxirrni këngë seksi? Po dridhni b*thët në clube” Nuk ke të drejtë të marrësh çfarë nuk është e jotja dhe pikë.”
“Kini kujdes. Ne jemi njerëz me ndjenja dhe të drejta. Mund të isha unë? Ti? Motra jote? Mamaja jote!”- shkruan mbi video këngëtarja e përlotur.
E mitura u abuzua nga 5 burra dhe ngjarja e rëndë ndodhi më 27 gusht, nga ora 17:30 deri në 00:30. 11-vjeçarja u ndalua në park në Prishtinë nga tre prej abuzuesve. Dy prej tyre e dhunuan ndërsa i treti e mori në makinë me të tjerët dhe e dërguan në një vend pa njerëz, për të abuzuar sërish. Nga ana tjetër, një protestë do të zhvillohet më 31 gusht, ora 12:00 tek “Zahir Pajaziti”.
/e.d