Banorët e shpellave parahistorike janë ushqyer me breshka të pjekura që kanë qenë si meze, apo pjatë dytësore, ka thënë Ran Barkai, arkeolog në Universitetin e Tel Avivit. Baraki udhëhoqi hulumtimet që çuan në zbulimin e një guaske dhe eshtrave të breshkave 400 mijë vjeçare të vjetra në një shpellë në Izrael, e cila vërtetoi se gjahtarët kanë gatuar breshkat, si pjesë e dietës së dominuar nga kafshët e mëdha dhe ushqimit vegjetarian, raporton Reuters.
Ky zbulim është bërë në shpellën Qessem, në të cilën shihen shenja të plasaritjes së eshtrave, që tregojnë se kafshët janë therur nga gjahtarët përmes thikave të mprehta prej guri, transmeton Koha.net. “Tani e dimë se ata janë ushqyer me breshka në një mënyrë mjaft të sofistikuar. Duhet të ketë qenë një ushqim shtesë – një meze, ëmbëlsirë ose pjatë e dytë pas mishit dhe yndyrës së kafshëve të mëdha”, është shprehur Barkai. Shpella Qessem u zbulua në vitin 2000 dhe besohet të ishte e banueshme për rreth 200 mijë vjet. Ky zbulim iu ka ofruar shkencëtarëve një pasqyrë të rrallë në evoluimin e njeriut. Eshtrat e shpërndara në të gjithë shpellën sugjerojnë se njerëzit parahistorikë kanë pasur një meny të pasur të të ushqyerit edhe me kuaj, me mish bualli e dreri.
Një studim i vitit të kaluar, bazuar në një pllakë të gjetur në dhëmbë, tregon se banorët e shpellave gjithashtu janë ushqyer me materiale me bazë bimore. Gjetjet e reja të ekipit të Barkait, në të cilin ishin të përfshirë edhe anëtarë nga Spanja dhe Gjermania, janë publikuar këtë javë në revistën shkencore Quaternary Science Review.