Apple pritet të shpalosë telefonin e ri 4-inç iPhone 5SE, tabletin e ri iPad Air 3 dhe opsionet e reja të Apple Watch-it në një konferencë që do ta mbajë më 15 mars, sipas “9to5mac”. Kjo do të jetë konferenca e parë e mbajtur e kompanisë që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Apple më 15 mars pritet të sjellë telefonin e vogël që zëvendëson iPhone 5S. iPhone 5SE do të ketë procesor A9, kamera më të mira dhe shërbimet e reja si “Live Photos” e “Apple Pay”. Çmimi i tij pritet të nisë nga 450 dollarë për versionin 16GB, ndërsa do të ofrohet edhe modeli me 64 gigabajt hapësirë të brendshme. iPad Air 3 pritet të vijë me shumë përditësime për dallim nga gjenerata e kaluar. Pritet të vijnë zmadhuesit më të mirë të zërit, tastiera e mençur dhe dritat-LED në pjesën e pasme. Sa i përket orës së mençur, Apple pritet të rifreskojë orën aktuale me rripa të rinj dhe sistem operativ. Sipas raportimit, data e caktuar nuk është përfundimtare, megjithatë muaji mars do të jetë përfundimisht “goditja” e radhës nga Apple.