Nga Plator Nesturi
Pas pushimeve, duhen dhe ca të tjera pushime. Kjo moto butaforike verore ka qenë shumë e pëlqyeshme dhe i shkon më së tepërmi për shtat politikës shqiptare, që i duhet kohë të mësohet me kostumin pas shullimit të gjatë në diell gjatë muajve të nxehtë. Në këtë mënyrë, shtatori ka qenë një muaj dembel dhe i zvargur sado që para pushimeve është premtuar se në fillimvjeshtë do të jetë agresiv dhe plot temp luftarak. Kështu është premtuar edhe për këtë shtator. Nga një anë Berisha dhe në hesap të tij Meta i kanë mëshuar deklaratave se në shtator do të bëhet nami dhe me një klimë të nxehtë politike sa dhe temperatuat afrikane të fillim korrikut e fillim gushtit do të dukeshin si fllad i freskët. E veçanta ka qënë se tempi i deklaratave ka përvijuar përgjatë gjithë muajit gusht, në deklarata të përditshme shtypi apo takime periferike, të alternuara me njëra tjetrën por dhe dyshimtare ndaj partnerit, ashtu siç kanë qenë dhe vetë marrëdhëniet e kohëve të fundit midis Rithemelimit dhe partisë së re të Metës. Në fund të fundit ku çon dhe çfarë qëllimi ka një retorikë kaq agressive për protesta e përmbysje revolucionare dhe së pari kujt i shërben. A i shërben opozitës kjo apo projekteve personale të dy prej personazheve të spikatur të opozitës aktuale? Të dy, si Berisha dhe Meta, janë politikanë të vjetër e plotë plagë lufte nga betejat politike në 32 vjet pluralizëm ku kanë qenë protagonist. Të dy e dinë fort mirë se asgjë nuk mund të arrihet as me protesta dhe ca më pak me revolucione. Së paku Berisha e ka provuar më parë dhe ka fituar veç izolim. Fitoret dhe përmbysjet mund të arrihen vetëm me votë dhe për të matur forcat, përpara e kanë një betejë elektorale për zgjedhjet vendore. Por po ashtu, të freskët e kanë dhe dështimin electoral në zgjdhjet e pjesshme vendore të këtij viti ku opozita e përçarë siç ish, arriti vetëm çerekun e votave të dikurshme që përbënin korpusin e saj elektoral.
Atëherë pse kjo ngutje dhe pse Berisha e Meta po i vijnë shtatorit me pishën e zjarrit në dorë? Në thelb, zjarri për tu hedhur në betejën e rrugëve është çka i intereson më pak opozitës. PD është e përcarë dhe nuk po e merr veten nga fraksionet brenda saj dhe dora e fortë e Berishës është mpakur së tepërmi pas shpalljes non grata nga Departamenti i Shtetit. Lepujt nuk mund të mbidhen në një stan aq më shumë kur në stan ka rënë sëmundje. Në kushte normale, së pari duhet që partia të shërohet nga plagët e saj që të shndërrohet në një formacion luftarak për zgjedhje, e jo ta lëshosh rrugëve pa qëllim e ide duke i lënë energjitë nëpër tubime që i vlejnë vetëm liderit për lartësimin e figurës së vet. Po ashtu dhe LSI e transformuar në PL i duhet kohë të tresë idetë e reja të liderit të rikthyer e të formatojë imazhin e ri si një parti e shndërruar. Kampingu i Jalës, e përbashkëta e deritashme e LSI dhe PL, vështirë të jetë i mjaftueshëm për shndërrimin e larvës në flutur.
Nëse nga pikëpamja strategjike, një mish mash politik i shtatorit as që nuk i intereson opozitës në tërësi, dhe subjekteve të saj në veçanti, atëherë kjo hedhje për sulm në shtator i ngjan një akti të dëshpëruar e që i shërben veç figurave drejtuese të saj për hallet personale të tyre. Në vetvete kjo opozitë është deformuar pasi realisht i kanë hequr objektin qëndror të saj që është beteja politike me maxhorancën për ta vënë në funksion dhe si trysni ndaj problemeve të liderëve të saj. E parë në këtë kuadër, opozita e Bashës, megjithëse defiçente, plot gabime taktike dhe me vizion të mpirë, ishte ku e ku më efiçente sesa ky lloj opozitarizmi këtyre liderëve të fortë.
Pasi Basha, sido që të ish, nuk kish halle personale dhe betejën e opozitare e kish drejtuar vetëm ndaj maxhorancës. Këta të sotmit, nuk dinë kë të sulmojnë më parëe nga ti drejtojnë forcat. Herë ndaj ramës, herë ndaj SHBA, herë ndaj Britanisë së Madhe, dhe nesër kushedi se çfarë fronti i ri hapet. Nga ora në orë dalin lajme të reja me të njëjtët protagonist që gjithësesi duket se shpresën e kanë mbështetur jo te përballja politike e institucionale por për fat të keq tek aventura e rrugës që është thjesht një abuzivizëm me pushtetin. Abuzivizëm që arrin deri aty sa të thërrasësh në kauzë e të përdorësh për interesa personale detashmentet partiake. Punë dreqi. Që nuk shpëtojmë dot nga ky arkaizëm politik që njerëzit i përdor si dele, si masë e bindur për përfitim personal dhe që për fat të keq këto skenarë ripërsëriten pambarimisht.