Studimet më të fundit po provojnë faktin se midis sozive mund të mos ketë vetëm ngjashmëri fizike, por edhe të gjenden shumë të përbashkëta në ADN-në e tyre.
Charlie Chasen dhe Michael Malone u takuan në Atlanta në vitin 1997, kohë kur Malone ishte këngëtar i ftuar në grupin e Chasen. Ata shpejt u bënë miq, dhe kushdo komentonte ngjashmërinë e tyre të frikshme fizike, aq sa shpesh i mendonin si vëllezër binjakë.
Ata janë jashtëzakonisht të ngjashëm, por janë thjesht sozi dhe nuk kanë lidhje gjaku mes tyre. Paraardhësit e Chasen janë nga Lituania dhe Skocia, ndërsa prindërit e Malone nga Republika Domenikane dhe Bahamasi.
Kohët e fundit, të dy miqtë u bënë pjesë e një projekti dhe studimi nga Instituti Kërkimor i Leukemisë “Josep Carreras” në Barcelonë. Një nga studiuesit, dr. Manel Esteller kishte analizuar më parë dallimet fizike midis binjakëve identikë, por donte të ekzaminonte edhe të kundërtën: njerëzit që duken njësoj, por nuk janë të afërt.
Në një studim të botuar në revistën “Cell Reports”, dr. Esteller dhe ekipi i tij rekrutuan një grup njerëzish të ngjashëm për të kryer teste ADN-je dhe pyetësorë rreth stilit të jetesës. Nga 32 çifte, 16 prej tyre u panë se kishin ngjashmëri, si në pamjen fizike ashtu edhe në ADN.
“Këta njerëz duken njësoj sepse ndajnë pjesë të rëndësishme të gjenomit, ose sekuencës së ADN-së. Fakti që njerëzit që ngjajnë shumë, kanë gjene të përbashkëta bën sens, por nuk ishte provuar kurrë.”Dr. Manel Esteller, studiues në Institutin Kërkimor të Leukemisë “Josep Carreras”
Sipas ekspertëve, gjetjet e studimit do t’i ndihmojnë mjekët të diagnostikojnë në të ardhmen sëmundje të ndryshme dhe nëse sozitë kanë mjaft gjene të ngjashme për t’u dukur njësoj, ata mund të japin edhe material gjenetik për trajtimin e sëmundjeve.
/e.d