Eneda Tarifa është kthyer nga Prishtina, ku ka realizuar fotosesionin për festivalin europian. E kontaktuar nga Panorama, këngëtarja thotë se e pret me qetësi konkurrimin, e bindur se asnjëherë nuk mund t’u pëlqejë të gjithëve.
“I kam marrë parasysh të gjitha, edhe kritikat, edhe vlerësimet, kur bëhet një zgjedhje nuk është e mirë për të gjithë. Në art, ku konkurrenca është e madhe, puna e madhe dhe konkurset e vogla e të pakta, nuk është pak të fitosh Festivalin e 54-t të RTSH. E vlerësoj si një nga pikat më të larta të karrierës sime. Festivali është diçka e madhe e çmimi i tij është thesar”, thotë Eneda.