Një refugjat sirian në Gjermani është arrestuar pasi ka hedhur nga dritarja e katit të parë tre fëmijët e tij të vegjël.
Ngjarja ndodhi në një qendër azilkërkuesish në Lohmar, ku 35-vjeçari jetonte me fëmijët e gruan. Pas një grindjeje me këtë të fundit, ai kreu aktin barbar.
Kur mjekët mbërritën pas telefonatës së marrë, gjetën dy nga fëmijët me plagë të rënda dhe i transportuan me helikopter në spitalin më të afërt.
Një fëmijë tjetër, një vjeç, iu kthye nënës së tij, pas kurimit të disa plagëve të lehta e pasi qëndroi një natë në spital, si masë paraprake.
Fëmijët e plagosur, djali pesë vjeç dhe vajza shtatë vjeç, kanë trauma të rënda të brendshme dhe në kokë.
Policia bëri të ditur se siriani nuk bëri asnjë rezistencë në momentin e arrestimit.